Ancelotti bëhet gati për El Clasico

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes me Schalken ka siguruar se ekipi i tij ka shpresa të mëdha para El Clasicos, që do të luhet të dielën. Trajneri italian ka siguruar se skuadra e tij është përmirësuar në muajt e fundit dhe se është e gatshme për përballje me Barcelonën. “Po kalojmë në…

Sport

18/03/2014 23:09

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, pas ndeshjes me Schalken ka siguruar se ekipi i tij ka shpresa të mëdha para El Clasicos, që do të luhet të dielën.

Trajneri italian ka siguruar se skuadra e tij është përmirësuar në muajt e fundit dhe se është e gatshme për përballje me Barcelonën.

“Po kalojmë në një moment të mirë, me besim të madh. Është një ndeshje e vështirë kundër një klubi të madh, por ne jemi përmirësuar shumë. Do ta japim më të mirën”, tha fillimisht Carletto.

“Për ta mposhtur Barcelonën duhet ta japësh 100 për qindëshin. Kemi shpresë të madhe në këtë ekip. Atmosfera është e mirë dhe kemi besim të madh”, vazhdoi ai.

Sa i përket duelit të së dielës, italiani konfirmoi se nuk do të ketë befasi në formacionin e parë.

“Natyrisht se i kamë idetë e qarta për njëmbëdhjetëshin e parë. Nuk është i vështirë. Nuk dua t’jua komplikoj gjërat”, u tha Ancelotti gazetarëve.

Trajneri i Realit më pas iu referua shortit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, që do të hidhet të premten, pjesë e së cilit do të jenë tri skuadra spanjolle: Reali, Barça dhe Atletico Madridi.

“Është mirë për futbollin spanjoll që tri ekipe do të luajnë në çerekfinale. Do të jenë ekipet më të mira të Evropës dhe për të gjitha do të jetë një çerekfinale mjaft e komplikuar”, përfundoi ish trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat dhe Paris Saint Germainit.