Analizë: Hapat e Vjosa Osmanit

Pak kush do të kishte besuar se Vjosa Osmani se do të arrinte që brenda një kohe të shkurtër të fitonte fuqi kaq të madhe politike në partinë e themeluar rreth njëzetepesë vite më parë nga ish presidenti Ibrahim Rugova. Ajo, jo vetëm që është gruaja më e fortë në parti, por ndoshta edhe pretendente për kryetare. 

Lajme

18/07/2014 21:14

Vjosa Osmani në zgjedhjet e fundit parlamentare doli si femra më e votuar, jo vetëm në LDK, por në gjithë skenën politike të Kosovës. 

Por si ndodhi ngjitja e saj deri këtu. Osmani u përfshi në politikë nga ish profesori i saj, Fatmir Sejdiu, dikur kryetar i LDK-së dhe president i Kosovës. Ajo u bë këshilltare e Sejdiut dhe merrej me çështje ligjore. Vazhdoi hapave të shefit të saj dhe u bë edhe ligjëruese në universitet.

Si këshilltare ligjore e presidentit, Vjosa Osmani humbi betejën e parë. Ajo mbronte kushtetutshmërinë e pozitës së ngrirë të Sejdiut në parti derisa ai ndodhej në krye të shtetit. 

Por, Gjykata Kushtetuese tha tjetër vendim dhe Sejdiu dha dorëheqje. Humbja e postit të presidentit kishte për pasojë edhe humbjen e postit të kryetarit të LDK-së në zgjedhjet në këtë parti.

Osmani, si një zyrtare që shihej e afërt me Sejdiun, ia ktheu shpinën atij për t’u pozicionuar tash afër shefit të ri të partisë Isa Mustafa, që morri kreun e LDK-së.

Ajo në zgjedhjet e 2010-ës fitoi mandatin e deputetes, por shpërthimi i saj ndodhi në zgjedhjet e fundit, pasi mori 30 mijë vota. Më shumë se secila femër tjetër në tërë historinë e parlamentarizmit në Kosovë. 

E edhe dje, në seancën e djeshme të Kuvendit, kur Isa Mustafa u zgjodh kryetar Kuvendi, Osmani ishte më aktivja. Madje doli në mbrojtje të ligjshmërisë së vendimit për zgjedhjen e tij.

Por tani shtrohet pyetja, se a do ta ketë fatin e Sejdiut edhe Mustafa, tash kur PDK ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese rastin e seancës konstituive.

LDK do të duhet të mbajë zgjedhjet partiake në vjeshtë të këtij viti, dhe nga humbja eventuale e tretë radhazi e Mustafes, në Prishtinë, në zgjedhje nacionale dhe postin e kryeparlamentarit, zor se do arrijë të vazhdojë të jetë në krye të partisë. 

Nëse Mustafa humb edhe LDK-në, çfarë do të ndodhë me deputeten Osmani. Do të vazhdojë të përkrahë dikë tjetër për kryetar, apo ka ardhur koha që ajo të marrë vetë drejtim e partisë?

Në fakt, kjo është mundësi goxha reale e Vjosa Osmanit, për ta marrë drejtimin e partisë, duke u bërë kështu femra e parë në Kosovë që i prinë një subjekti politik të madh, siç është LDK-ja. (lajmi.net)