Analistët thonë se presidenti Thaçi duhet të heqë dorë nga premtimet

Megjithëse mori postin e presidentit të vendit, nuk i ndali premtimet. Hashim Thaçi vazhdon t’iu premtojë qytetarëve autostrada, ndërtime stadiumesh, shtëpi, dhe kode të etikës për partitë politike. Analistët thonë për KosovaPress se këto premtime nuk janë pjesë e mandatit të presidentit dhe se të gjitha këto, Hashim Thaçi po i bënë për të përmirësuar imazhin e tij, i cili është dëmtuar.

Lajme

29/05/2016 14:51

“Kam iniciuar edhe proces tjetër dekriminalizimin e politikës kosovare…Duhet të jetë funksional një kod në mes partive politike, të cilin mund ta iniciojmë shpejtë. Kjo nënkupton që asnjë kandidat apo parti politike, nuk duhet që në listat e veta zgjedhore, të ketë njerëz me aktakuza…Si prioritet tjetër që do ta fuqizoj në përkushtimet e mija presidenciale, do të jetë sistemi i drejtësisë… Sot jam në familjen Deshoviq për të shikuar për afër nevojat e tyre. U zotova që të marrim hapa për krijimin e një shtëpie dhe sot mund të them se brenda një muaji, do të vëmë gurë themelin për një shtëpi të re për familjen”, ka thënë Thaçi në disa prej paraqitjeve të tij publike si president i vendit.

Megjithatë, ai nuk ia ka përtuar të premtojë edhe stadium të ri për kryeqytetin.

“Pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, kombëtares së Kosovës i duhet një vend dinjitoz për zhvillimin e garave ndërkombëtare. Do të bëjmë çmos që sa më parë të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytet, me kapacitet prej 30 mijë ulëse, i prezantuar kohë më parë. Vetëm kështu, anëtarësimi në UEFA dhe FIFA merr kuptim”, ka qenë një tjetër premtim i tij.

Deklaratat e tilla të bëra nga presidenti i vendit, analistët politikë i vlerësojnë si të pavend.

Sipas tyre, këto premtime nuk janë pjesë e mandatit të presidentit dhe se të gjitha këto, Hashim Thaçi po i bënë për të përmirësuar imazhin e tij, i cili është dëmtuar dukshëm.

Driton Selmanaj nga ‘Demokraci plus’, thotë se premtimet e bëra nga presidenti Thaçi, nuk janë pjesë e mandatit të tij dhe ai duhet të heq dorë nga të tilla deklarime.

“Në fakt premtimet e tilla apo sjellja e tillë, sikur na dëshmon që akoma nuk është familjarizuar me mandatin e vet kushtetues, që e ka zoti Thaçi. Absolutisht kjo nuk është pjesë e mandatit të presidentit, roli i presidentit është roli përfaqësues. Ka disa ingerenca kushtetuese dhe të brendshme, në kontestin e disa pushteteve, as që i takon që të merret ai me premtime, ose propozime konkrete për çështje të cilat lidhen me jetën e përditshme ose përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve që jetojnë në Kosovë”, thotë ai.

Selmanaj mendon se gjithë këtë skenar, Thaçi po e bën me qëllim të rehabilitimit të figurës së tij, e cila është dëmtuar kohëve të fundit. Presidenti dëshiron ta paraqes veten si shpëtimtar të këtij vendi, thotë analisti Driton Selmanaj.

“Po mendoj që kjo bëhet me qëllime të caktuara. Cili është qëllimi themelor është që Thaçi ta arrijë ta rehabilitojë paksa figurën e tij të dëmtuar kohëve të fundit, sepse mos të harrojmë pothuajse keqqeverisja apo gjithë kjo krizë politike, që pothuajse ka dy vite që e ka shoqëruar vendin, sikur lidhet me personalitetin e tij… Dhe tash çka provon, që ta ofroj veten si një person tjetër, si një figurë tjetër publike, për të thënë se unë nuk jam ai që kam qenë i atakuar nga të gjithë, por unë jam një person, i cili shqetësohem për hallet e njerëzve, shqetësohem për të gjitha sektorët e jetës në Kosovë dhe çka është me e rëndësishmja unë jam shpëtimtari, apo shpresa e këtij vendi. Mendoj që njerëzit duhet ta shohin me rezerva çdo qasje që lidhet me çështje të cilat absolutisht nuk bien në fushë veprimtarinë e tij, këto tema janë tërësisht në mandatin e pushtetit ekzekutiv, që në këtë rast është Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Analisti politik Behlul Beqaj, thotë se premtimet e Thaçit po vazhdojnë edhe pas marrjes së postit të presidentit, duke u sjellë sikur ai është magjistar i Kosovës.

“Ai vazhdon sikur të ishte magjistar i Kosovës, sikur çdo gjë të sillet rreth tij, për faktin se premton ndryshimin ekodit penal, stadiume, autostrada dhe me këtë intensitet të premtimeve, nuk përjashtoj mundësinë që së shpejti të thotë se do ta keni dhe Metron. Do ta sjellë dhe detin në Kosovë, vetëm e vetëm të jep premtime të cilat mjerisht qytetarët kanë dëshirë për t’i dëgjuar”, thotë ai.

Beqaj tha se Thaçi, pavarësisht posteve që ka mbajtur, gjithmonë ka luajtur rolin e personazhit kryesor, i cili zgjidh problemet e këtij vendi.

“Në kuptimin e funksioneve edhe derisa ka qenë si kryeministër, është sjellë sikur të ishte kryetar, ngase e ka udhëhequr politiken e j ashtme. Tash edhe pse është kryetar po sillet sikur të ishte kryeministër, premton ndryshimin e kodit penal, stadiume e kështu me radhë. Ai definitivisht po do të prezantohet se është magjistar, për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe çdo gjë që ka të bëjë me ndryshimet gjoja se pozitive, duhet të sillet rreth emrit të tij, dhe keni parasysh, është i pranishëm pak a shumë në çdo takim, në çdo ngjarje e cila është me rëndësi për publikun, audiencën për qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, qëllimi i vetëm i Thaçit është të imponohet si personalitet, që s’ka alternativë në Kosovë /kp