Analistët: Seanca e 9 tetorit e thirrur nga Blloku nuk është zgjidhje

Vazhdimi i seancës konstituive, e thirrur LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, e cila pritet të mbahet më 9 tetor, nuk pritet të sjellë konstituimin e organeve të këtij institucioni.

Lajme

05/10/2014 21:04

Kështu të paktën thonë analistët politikë, të cilët vlerësojnë se pa arritjen e një marrëveshje në mes të bllokut dhe PDK-së, nuk do të mund të dilet nga ngërçi politik.

Profesori universitar, Emrush Ujkani, PDK dhe Blloku VLAN duhet të arrijnë një konsensus në mënyrë që të tejkalohet kriza.

“Për vet faktin që kemi ndarje, pra një pjesë e tyre do t’i mungojnë kësaj seance, e zbeh atë legjitimitet që dikush do të pretendonte se ekziston. Në anën tjetër, ne kemi pasur shumë iniciativa dhe shumë angazhime, kemi pasur edhe konkluzione nga Gjykata Kushtetuese të cilat në një mënyrë e kanë dhënë një përgjigje në kuadër të asaj se si duhet të shkohet tutje. Ne duhet t’i bindemi atij vendimi të gjykatës. Edhe vet partitë e grupit janë zotuar që t’i përmbahen atij vendimi”, thotë ai për RTK.

Edhe analisti politik Naim Rashiti, vlerëson se pa marrëveshje, Kuvendi nuk do të mund të konstituohet.

“Këto parti nuk do të arrijnë të konstituojnë organet e Kuvendit kështu që duhet të kemi sa më shpejt një marrëveshje për konstituimin e organeve të Kuvendit”

Ujkani vlerëson se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga duhet që t’i thërras në takim të gjithë përfaqësuesit politikë, e jo veç e veç. Ai thotë se vetëm kështu mund të arrihet deri tek një zgjidhje për të dalë nga ngërçi.

“Mos harroni një fakt se po nuk pat vullnet nga forcat politike gjë e cila nuk është se po vërehet për momentin, ajo do të mbetet vetëm në iniciativa të presidentes. Po kjo në asnjë moment nuk e amniston atë nga detyra që ka për t’i thirrur dhe për të bërë përpjekje që t’i ulë rreth një tavoline të përbashkët të gjitha partitë politike, e jo një nga një, por të gjitha bashkë dhe të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje, e cila edhe po të bëhej në atë formë unë nuk besoj që do të ishte afatgjate, opr në një mënyrë do t’i jepte përgjigje kësaj krize tash për tash, këtij ngërçi që është krijuar në vendin tonë e që tash po hynë në muajin e pestë”, ka thënë Ujkani për RTK.