Analistët: Qosja i frustruar, Mustafa i papërvojë

Polemikat mes Isa Musafës dhe Rexhep Qosjas s’kanë të ndalur. E analistët vlerësojnë se akademik Qosja është i frustruar ndërkaq kryeministri Mustafa është i papërvojë. E për ta, kjo polemikë ka qenë e panevojshme.

Lajme

14/12/2014 19:17

“Kuku Kosovë! Çka të ka ndodhur”, shkroi në një status në rrjetin social Facebook Rexhep Qosja duke iu referuar zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryeministrit.

Ky koment erdhi, disa ditë pas zgjedhjes së Isa Mustafës, si kryeministër. Qosja, nuk e la pa e quajtur Isa Mustafën, mashtrues, e nuk la pa iu drejtuar me pyetje edhe Hashim Thaçit, duke thënë se asnjë shtet evropian nuk i bënë kryeministra vrasësit e atyre që mbrojnë popullin prej dhunës së pushtuesit.

Polemikë, nuk la pa bërë as kryeministri i ri, Isa Mustafa, ku në një moment, ai madje e quajti gënjeshtar dhe të çmendur Qosjen.

Por, këto polemika, janë shumë të ulëta. Kështu thonë analistët në vendin tonë. Ata, duke folur për KosovaPress, vlerësojnë si të papranueshme gjuhën e përdorur nga akademik Rexhep Qosja, dhe në anën tjetër nga kryeministri Isa Mustafa.

Bile, për disa një polemikë e tillë është nën nivelin intelektual dhe si e tillë të vije gërdi prej saj.

Sipas tyre, është e drejtë e Qosjes të jap vlerësime por jo të bëjë akuza derisa nuk ka argumente.

Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se akuzat e Qosjes janë të panevojshme dhe si të tilla nuk prodhojnë ndonjë efekt as publik e as intelektual. Sipas tij, akuzat janë të dëmshme vetëm për personin i cili i ngritë ato.

“Kjo është një polemikë krejtësisht e panevojshme, shprehje frustrimi të Qosjes kryesisht ,sepse akuzat e tilla mund të bëhen vetëm në prokurori e jo në publik. Nëse profesor Qosja ka fakte se kryeministri Mustafa ka qenë pjesë e krimeve atëherë mund t’i deponojë në institucionet përkatës edhe të mos merret me krijimin e thashethemeve dhe të mjegullnajës e cila nuk i bënë mirë askujt dhe më së paku qytetarëve të Kosovës. Në fakt akuzat e tilla janë krejtësisht të panevojshme sepse nuk kanë ndonjë efekt as në aspektin intelektual as në aspektin politik pra ato janë më të dëmshme për vet personin i cili i krijon ato”, thotë ai.

Muhaxhiri thotë se krijimi i një mjegullnaje të tillë nuk është në të mirën e Kosovës.

Ai kujton se akademik Rexhep Qosja ka një karrierë të bujshme sa i përket albanologjisë, andaj një reagim i tillë për çështje politike nga ana e tij është i panevojshëm.

Akuzat e Qosjes, Muhaxhiri i “arsyeton” duke thënë se profesor Qosja ka lënë prapa vetës një karrierë jo fort të lavdishme politike. “Profesor Qosja ka pas një karrierë jo fort të lavdishme politike dhe duket se e ka një peng jetësor suksesin në politikë, këtë gjë nuk e ka arritë asnjëherë andaj edhe kritikat e tij ndaj politikanëve dhe akuzat e tij të vazhdueshme duket se nuk janë të bazuara në realitet por më shumë tek ndonjë frustrim dhe tek ndonjë mosarritje e ndonjë plani jetësor që e ka pas ai”, thotë ai.

Muhaxhiri, shton se as përgjigja e kryeministrit Mustafa nuk ishte me vend. Sipas tij, akuza të tilla më së miri është të injorohen krejtësisht.

E analisti Muharrem Nitaj, thotë Isa Mustafës i mungon përvoja në kryeministri. Ai mendon se kryeministri Mustafa duhet të mësohet me sulme e akuza.

Nitaj ka thënë se është e drejtë e akademik Qosjes që të jap vlerësimin e tij por jo edhe t’i thotë dikujt vrasës derisa nuk ka argumente.

“Është e drejtë e akademik Qosjes që të japë vlerësimin e tij për të gjitha zhvillimet në vend dhe edhe për kryeministrin e vendit, por gjuha e përdorur prej tij është krejtësisht e papranueshme. Nuk i thuhet tjetrit vrasës nëse nuk ke argumente, aq më tepër nëse ai tjetri është kryeministri i vendit”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij, as kryeministri i vendit nuk mund të “shpallë të çmendur” një qytetar të vendit në të cilin ai është kryeministër. Nitaj thotë se nuk mund t’i thuhet një akademiku “shko në psikiatri”. Ai mendon se Isa Mustafa është dashur të mos fliste fare ose të fliste për akuzat që ka ngritur akademik Qosja ndaj tij.

“Ai është politikan i nivelit të lartë dhe duhet të mësohet edhe më sulme e akuza dhe të mos shpërthejë si zorra në prush. Por është e qartë se atij i mungon përvoja në kryeministri ose përreth vetës ka këshilltarë të mbrapsht. Sidoqoftë kjo polemikë është nën nivelin intelektual të komunikimit dhe si e tillë të vjen gërdi prej saj. Unë jam i tmerruar me gjuhën e përdorur edhe nga akademik Qosja e edhe nga kryeministri Mustafa!”, ka thënë Nitaj.

“Debati” mes akademik Rexhep Qosjes dhe kryeministrit të sapozgjedhur Isa Mustafa ka plasur dje ku Qosja ka postuar një shkrim në rrjetin e tij social Facebook për marrjen e mandatit të Mustafës për kryeministër, ku edhe thotë se u tmerrua nga ato që ndodhën. E kryeministri Mustafa qe i menjëhershëm me reagimin e tij, raporton KosovaPress.