Analistët: Opozita të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel ka hyrë në fazën finale, në të cilin vendin tonë, në nivelin më të lartë politik, po e përfaqëson presidenti Hashim Thaçi. Por, në të njëjtën kohë faktori politik opozitar në Kosovë po e konteston legjitimitetin e presidentit të negociojë në emër të vendit tonë në këtë proces. Ndërkohë, presidenti Thaçi ka paralajmëruar se në këtë fazë të dialogut pritet të arrihet marrëveshje, e cila mund të jetë e dhimbshme për Kosovën.

Lajme

24/07/2018 19:08

Analistë dhe njohës të rrethanave politike në vend, i kanë thënë Telegrafit se partitë opozitare duhet të bashkëpunojnë për interesa kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, e jo të qëndrojnë anash duke bërë sehir me veprimet e presidentit Hashim Thaçi në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel.

Analisti Imer Mushkolaj, tha për Telegrafin se opozita nuk duhet të pres që presidenti i vendit, Hashim Thaçi të ‘dështojë’ në procesin e dialogut në nivelin më të lartë që janë duke u zhvilluar, por të jetë aty dhe të mos lejojë ‘dështime’ të tilla, pasi nuk është në interes të një individi por të gjithë Kosovës.

Mushkolaj potencoi se partitë opozitare duhet të bëhen pjesë e procesit duke dhënë kontributin e tyre për të neutralizuar presidentin,Thaçi dhe duke provuar që mos të lejojnë situatën të shkoj drejt ndarjes së Kosovës.

“Opozita e ka shumë të lehtë të flas dhe të denoncojë drojën se mund të ndodh një ndarje apo shkëmbim territoresh, por do të ishte shumë më e drejtë që të jetë pjesë e procesit e jo të qëndrojë anash duke bërë sehir, e duke pa se çka po vepron Thaçi në këtë rast. Situata po ‘eskalon’ (në kuptimin që bisedimet po shkojnë drejt ndarjes së vendit), atëherë opozita të jetë aty dhe mos të lejojë që të ndodh një gjë e tillë. Të mos pres që Thaçi të ‘dështojë’ (kushtimisht), sepse çka do që ndodh nuk është në interes të një individi, në këtë rast të presidentit Thaçi, por është interes i krejt Kosovës. Opozita të bëhet pjesë e procesit dhe të jap kontributin e vet duke neutralizuar Thaçin dhe duke provuar që mos të lejoj situatën të shkoj nga ndarja e Kosovës”, ka thënë Mushkolaj.

Lidhur me deklaratat e krerëve të opozitës se çdo ndarje apo shkëmbim territoresh mund ta çojë vendin në protesta të shumta, Mushkolaj tha se protestat janë më se normale pasi i bëjnë thirrje pushtetit por edhe opozitës që të jen pjesë e procesit për të mos pranuar një gjë të tillë.

“Protesta dhe mund të ketë dhe duhet të ketë s’ka asgjë të keqe, në kuptimin që t’i bëhet thirrje pushtetit, por edhe opozitës në këtë rast që të jetë pjesë e procesit, e të mos e pranoj një gjë të tillë. Opozita nuk është aty vetëm për të nxit protesta por është aty që të jap kontribut, sepse opozita nuk i kanë marr votat vetëm për të bërë thirrje për protesta ose për të ngrit zërin që diçka mund të ndodh”, tha ndër të tjera Mushkolaj.

E sa i përket tryezës e cila u mbajt në fillim të kësaj jave e organizuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri , Mushkolaj e cilësoi si tendencë për protagonizëm të kryetarit Bahtiri.

“Tryeza më shumë ishte si një lloj tendence për protagonizëm të tij, nuk  mund të prodhoj ndonjë efekt Gjuha e Bahtirit që ‘nuk do të ndahet Mitrovica’, e gjëra të tilla. Kjo tregon që e ka organizuar më shumë për të treguar njëfarë protagonizmi ose një farë fuqie që ai pretendon se e ka. Pastaj nuk ka asgjë të keqe nga këto tryeza, por gjuha dhe mënyra e shprehjes së Bahtirit të bënte të mendoje që e ka më shumë për konsum publik sesa që vërtetë mund të prodhoj ndonjë efekt e drejta e parandalimit të ndarjes së vendit”, ka thënë ai.

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thanë se  dialogu në nivel presidentësh në Bruksel nuk ka agjendë të caktuar, por ka vullnet politik për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.

Ai tha se në këtë dialog po krijohen kushtet për arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse ndërmjet dy shteteve dialoguese.

“Dialogu në nivel politik që po zhvillohet në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka agjendë por ka vullnet politik për të shtensionuar raportet dhe të normalizojë marrëdhëniet dhe për krijimin e kushteve për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Opozita duhet të bashkëpunojë për interesa kombëtare dhe shtetërore. Por se a bashkëpunon apo jo e vlerëson vet, varësisht prej fuqisë që e ka dhe prej elektoratit që synon, dhe varësisht a përshtatet kjo me platformën e tyre apo jo”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, opozita e Kosovës e ka vlerësuar se me presidentin e vendit nuk ka bashkëpunim duke  e vlerësuar figurën e tij si jo unifikuese.

“Opozita jonë e ka vlerësuar që me Thaçin nuk ka bashkëpunim, jo me presidentin, por me Hashim Thaçin, dhe  e kanë vlerësuar si figurë jo unifikuese. Mirëpo, Kuvendi është funksional dhe askush se pengon që të bëjë platformën dhe të jap mandatin presidentit që ta përfaqësoj konform platformës që e nxjerr Kuvendi. Në këtë punë opozita mund ta merr dhe rolin kryesorë që ta punoj dokumentin bazë, në harmoni me paqenë dhe stabilitetin e rajonit”, theksoiTahiri, për Telegrafin.

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë me gazetarë i bëri thirrje spektrit politik të bashkëpunojnë, pasi, sipas tij, bashkërisht mund të ia dalin mbanë në proceset që e presin Kosovën në dialogun Kosovë- Serbi.

“Askush nuk është duke penguar Kuvendin e Republikës së Kosovës, grupet parlamentare të ulen të diskutojnë ta dëgjojnë njëri-tjetrin, e kemi një traditë të tillë të mirëkuptimit, ajo nënkupton jo nënshtrim ndaj njëri-tjetrin, jo servilizëm, jo favorizim por respekt, mirëkuptim, vlerë, civilizim dhe frymë evropiane politike kosovare, e jo të lagjeve e qasjeve periferike të tejkaluara për Kosovën, 20 vjeçare të lirisë dhe 10 vjeçare të pavarësisë të Kosovës. Prandaj dhe mesazhi im është i qartë spektri politik, grupet parlamentare, partitë parlamentare duhet të marrin vendimin që iu takon, të jenë të vetëdijshëm për të punuar për opinionin, bashkërisht të punojmë pasi në fund të fundit askush nuk mund të nuk pretendon ta tejkaloj Kuvendin. E kam theksuar gjithmonë, marrëveshja përfundimtare i takon kuvendit. Askund në botë nuk ndodh që autoritet e paautorizuara individësh të marrin atë që nuk iu takon. Kuvendi duhet të inkorporohet, duhet ta marr rolin që i takon kushtetues dhe ligjor dhe që përfundimisht të marr vendimin apo fjalën e fundit. Bashkërisht mund të ia dalim mbanë. Të gjitha partitë parlamentare duhet të ulen dhe diskutojnë”, potencoi presidenti i vendit, Hashim Thaçi.