Analistët: Opozita pa hapa konkret, vetëm fjalë për rrëzimin e qeverisë

Partitë opozitare në Kuvend qeverinë Haradinaj po e cilësojnë si më të dobtën që nga paslufta në Kosovë. Madje po vlerësojnë se koalicioni nuk po i ka numrat për t’i çuar proceset përpara. Por përkundër të gjitha këtyre akuzave me fjalë, deri më tani LDK-ja, Vetëvendosja apo PSD-ja nuk kanë marrë ndonjë hap konkret që ta rrezikojnë qeverinë me në krye Ramush Haradinajn.

Lajme

11/07/2018 16:29

Me synimin për ta rrëzuar këtë qeveri, partia e Isa Mustafës ditë më parë kishte nisur organizimin e tryezave politike. Por që deri më tani nga këto takime të partive politike, nuk pati asnjë konkluzion.

E deklaratat akuzuese të opozitës ndaj qeverisë, analistët po vlerësojnë se janë më shumë për konsum ditor politik.

Analisti Imer Mushkolaj në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se për momentin, pa dëshirën e ndonjërës prej partive në pushtet nuk mund të rrëzohet qeveria.

Mushkolaj vlerëson se edhe qeveria edhe opozita nuk i kanë numrat për ta arritur një shumicë në Kuvendin e Kosovës.

Image result for imer mushkolaj HD 2018

Foto: Imer Mushkolaj

“Opozita e di qartë se pa përkrahjen e njërit nga subjektve të koalicionit qeveritar është e pamundur me e rrëzu qeverinë ,kështu që më shumë i ka deklarata për elektoratin e vetë, sesa që mundet me u përkthy diçka në praktikë. Është njëfarë situatë shumë absurde ku as qeveria nuk i ka numrat duke pasur parasysh faktin e Listës Serbe, e as opozita nuk i ka numrat. Kurse në anën tjetër kemi deklarata se kjo qeveri e pakicës duhet të shkojë në shtëpi. Por prap se prap po e përsëris derisa të ndërmerren veprime praktike, këto deklarata mbesin për konsum ditor”, tha Mushkolaj.

Sipas analistit Mushkolaj nga të gjitha partitë në skenën politike, për momentin zgjedhjet më së shumti do t’i konvenonin Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai shprehet se kjo situatë më shumë ka ardhur për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria Haradinaj, sesa që partia e Isa Mustafës ka bërë punë serioze në opozitë.

“Unë besoj që LDK-së do ti kishte konvenu një proces zgjedhor për faktin se gjendet në një momentum të përshtatshëm, jo për shkak të punë serioze apo të mirë të LDK-së në opozitë, por për shkak të keqmenaxhimit qeveritar. Por nuk do të ketë zgjedhje njëherë, dhe fatkeqësisht opozita po tregohet e dobët. Më shumë po flasin si OJQ se si parti politike opozitare”, deklaroi Imer Mushkolaj.

Se zgjedhje nuk do të ketë në një të ardhme të afërt, po e thotë edhe njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri.

Tahiri duke folur për lajmi.net ka thënë se Kosova fillimisht ka nevojë për një reformë zgjedhore.

“Edhe me dashtë zgjedhje para vjeshte nuk mundet pasi janë pushimet, dhe nuk është përgatit kurgjo atmosfera e zgjedhjeve, por edhe ajo formale juriidke. Në anën tjetër konisderoj se Kosova fillimisht ka nevojë për reform zgjedhore, që një njeri të ketë të drejtë për 1 votë e jo 5 vota, por edhe për disa reforma tjera”, tha Tahiri.

Image result for ramush tahiri HD 2018

Foto: Ramush Tahiri

Sipas tij në këtë situatë fokusin më të madh po e merr Lista Serbe. Tahiri thotë se 10 votat e serbëve janë vendimtare për ta përcaktuar se kush e ka shumicën në Kuvend.

Analisti Tahiri numëron disa zhvillime të cilat do të mund ta rrëzonin qeverinë, e vendin ta dërgonin në zgjedhje.

“Rasti konkret qeveria nuk i ka numrat për t’i çuar proceset përpara për shkak të problemeve me Listën Serbe, dmth nuk i mbërrin 61 vota. Opozita prap varet nga Lista Serbe pasi edhe ajo nuk i ka 61 vota. 10 votat e serbëve janë andej ose këndej e përcaktojnë gjysmën.  Nëse ka zëra që brenda koliaionit po duhet një ristrukturim atëherë mund të ndodhë sikur ndodhi para 1 viti të prishet qeveria. Gjithashtu nëse nuk ka gatishmëri ndërkombëtare. Ose nëse raporti i Komisionit Evropian nuk është shumë i favorshëm për vizat, atëherë është e sigurt se ka krizë dhe mund të ketë zgjedhje”, përfundoi Ramush Tahiri.

Lajmi.net ka tentuar të flas edhe me partitë opozitare për të kuptuar planet e tyre për rrëzimin e qeverisë, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Ndryshe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj nuk po shqetësohet për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

I pyetur disa herë nga gazetarët, shefi i ekzekutivit kosovar shprehej i bindur se do ta çonte mandatin deri në fund. /B.B/Lajmi.net/