Analistët kërkojnë koordinim ndërmjet Presidentit dhe Qeverisë për taksën ndaj Serbisë – Lajmi.net
Analistët kërkojnë koordinim ndërmjet Presidentit dhe Qeverisë për taksën ndaj Serbisë
Autori: Lajmi.net EkonomiLajme 14:00, 7 January 2019
Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi duhet të koordinohen për veprimet e ardhshme që do të merren në lidhje me taksën ndaj Serbisë dhe dialogun.

Ky është konstatimi që e kanë dhënë analistët, pas deklaratave të fundit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që taksa mund të hiqet nëse marrëveshja me shtetin serb është afër.

Profesori universitar dhe analisti politik, Rrahman Paçarizi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është brenda autorizimeve të presidentit që të diskutojë temat për dialogun, pasi është edhe udhëheqës i këtij procesi.

Por sipas tij, Presidenti në njërën anë, dhe Qeveria në anën tjetër duhet të bashkëpunojnë për hapat e radhës në lidhje me taksën, dhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Natyrisht që presidenti nuk mund të vendosë për vënien apo heqjen e taksave, por mund të iniciojë çështje dhe mund t’i propozojë qeverisë ndryshimin e vendimeve që lidhen drejtpërdrejt me dialogun. Presidenti nuk ka thënë se taksa duhet hequr as ministri Shala s’ka thënë se presidenti s’ka të drejtë t’i propozojë qeverisë ndryshimin e vendimit. Mendoj se bëhet fjalë për të njëjtin shtet dhe nuk ka asgjë të keqe nëse diskutohen çështje të caktuara ndërmjet presidentit dhe qeverisë, sidomos nëse çështja e dialogut del si më vendimtarja për Kosovën këtë vit, pas letrës së presidentit Trump”, ka thënë Paçarizi.

Koordinim dhe konsensus ndërmjet institucioneve të Kosovës ka kërkuar edhe analisti tjetër politik, Arton Demhasaj.

Demhasaj ka thënë për Telegrafin se deklaratat si kjo e presidentit nuk duhet të bëhen pa një koordinim dhe konsensus paraprak.

“Kur liderët tanë po dalin dhe po flasin kështu, nuk e di se a ka koordinim mes tyre, koordinim të brendshëm për deklaratat e tilla, pasi në rast se nuk ka një koordinim edhe një dakordim mes qeverisë, kryetarit të Kuvendit dhe presidentit, që në rast se është afër marrëveshjes të hiqet taksa atëherë deklaratat e tilla janë të dëmshme. Nëse presidenti Thaçi nuk është dakorduar me kryeministrin si bartës i pushtetit ekzekutiv i cili e ka vendosur taksën edhe me ish-partinë e tij, atëherë ai jep deklarata të tilla pa një konsensus paraprak.”, deklaroi fillimisht Demhasaj.

Ai tutje është shprehur se taksa do të ishte në rregull të suspendohej vetëm nëse është kushti i vetëm për marrëveshjen finale, e cila do t’i sillte Kosovës njohjen nga Serbia.

Demhasaj i ka vlerësuar si të dëmshme deklaratat e Thaçit, pasi sipas tij ka nevojë për më shumë unitet në spektrin politik.

“Në rast se ka konsensus ndërmjet qeverisë, Kuvendit dhe presidentit, atëherë mund të jetë në rregull. Në rast se është afër marrëveshja, dhe kushti i vetëm është të hiqet taksa, dhe marrëveshja të përkrahet nga BE-ja dhe Amerika, atëherë edhe do të ishte në rregull që kjo taksë të suspendohet. Por nëse këto deklarata të presidentit janë bërë pa koordinim të institucioneve dhe zgjidhja, pra marrëveshja nuk është askund në horizont mendoj që mund të jetë e dëmshme”, është shprehur Arton Demhasaj për Telegrafin.

Deklarata e Thaçit për Washington Post, paralajmëronte heqjen e taksës para një marrëveshje finale me Serbinë. Qëndrim i cili nxiti reagime te qeveria dhe partitë politike në vend.

“Po, taksat janë masë e jashtëzakonshme, pala jonë është e gatshme të gjejë zgjidhje për këtë. Gatishmëria jonë shtohet nëse ndiejmë se partnerët tanë na përkrahin dhe na udhëzojnë në këtë çështje. Nga ana ime, unë do të garantoj popullin e Kosovës se këto udhëzime dhe kjo përkrahje ekziston”, ka thënë presidenti për gazetën amerikane.

Ndaj kësaj deklarate të Thaçit, kishte reaguar menjëherë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ai gjatë ditës së djeshme deklaroi se presidenti nuk është ai që vendos nëse taksa do të hiqet apo jo.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës që nga 21 nëntori ka vendosur taksë 100% për të gjitha produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja. Kryeministri Haradinaj është zotuar se kjo taksë nuk do të hiqet deri në njohjen nga Serbia.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO