Analistët evropian: Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën i turpshëm

Ekspertët e njohur ndërkombëtarë mbi sfidat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kritikojnë Bashkimin Evropian për qasjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e quajtur atë si të fjetur.

Lajme

14/05/2015 17:28

Duke marrë për shkas zhvillimet e fundit në Maqedoni, kryeredaktorja e “Strategic Europe”, revistës së “Carnegie Europe”, Judy Dempsey, ka bërë një përmbledhje me pikëpamjet e analistëve për rolin e BE-së në rajonin e Ballkanit.

Zëvendëskryesuesi i Nismës Evropiane për Stabilitet, Kristof Bender, thotë se BE-ja ka vizion që t’i integrojë të gjitha vendet në një bashkësi të demokracive dhe ekonomive të tregut, mirëpo besimi në politikën e zgjerimit të BE-së ka pësuar rënie kudo, sepse është krijuar përshtypja se i gjithë rajoni po e pret një të ardhme evropiane që kurrë nuk do të vijë, e cila nuk varet nga ajo që po bëhet sot.

“Ky ndikim negativ i këtij trendi nuk ka qenë askund më rrënues sesa në Maqedoni. Një dekadë më parë, vendi ishte prijës në procesin e reformave, por sot ai vuan nga çdo sëmundje e Ballkanit: paraliza, një ekonomi e shkatërruar, polarizimi, frika nga konflikti dhe një mungesë e plotë e perspektivës”, thotë ai.

Ai thotë se Komisioni Evropian duhet të bëjë vlerësimin e vendeve kandidate në raportet e saja vjetore për progresin e shënuar dhe atë në mënyrë të qartë, të drejtë, transparente dhe të kuptueshme.

“BE-ja duhet të ndalojë së dekurajuari Bosnjë e Hercegovinën nga dorëzimi i aplikimit për anëtarësim gjatë vitit 2015. Shqipëria meriton të marrë gjatë këtij viti një datë për fillimin e bisedimeve edhe si një sinjal për fqinjët e saj. E në fund, BE-ja duhet t’i japë fund trajtimit të Kosovës si një shtesë e politikës së saj ndaj Serbisë. Mënyra se si BE-ja e ka trajtuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e turpshme, as e rreptë dhe as e drejtë”, thotë zëvendëskryesuesi i Nismës Evropiane për Stabilitet, Kristof Bender.

Ndërsa, Cornelius Adebahr, nga programi i Carnegie për Evropën është shprehur se nuk mund të thuhet se BE-ja ka mbetur e fjetur në Ballkanin Perëndimor, por se ajo nuk i ka mjetet e duhura për të adresuar sfidat që burojnë nga rajoni. “Gjithçka që ndodhi në Kumanovë dhe arsyet pse këto zhvillime erdhën tani shpërfaqin një përzierje të rrezikshme të rrjeteve kriminale dhe tensioneve etnike në një ambient të dobët politik – një karakteristikë e përbashkët e rajonit”, thotë analisti Cornelius Adebahr.

Kurt Bassuener, zyrtar i lartë pranë Këshillit për Politika për Demokratizim në Sarajevë, thotë se qasja e BE-së në Ballkanin tregon se për të stabiliteti është kryesori, duke i lënë anash progresin dhe demokracinë.

Tani janë bërë dymbëdhjetë vjet qëkur udhëheqësit e BE-së i ofruan Ballkanit Perëndimor një perspektivë për anëtarësim. Në vend që BE-ja të punonte intensivisht për t’i konsoliduar vendet e rajonit, ajo e ka shndërruar procesin e paraanëtarësimit – hapat e marrë para fillimit të negociatave për anëtarësim në një pengesë të mbingarkuar nga kushtet e vendosura.

BE-ja duhet të jetë dukshëm më proaktive dhe të angazhohet në shtyrjen përpara të procesit të negociatave. Procesi i Berlinit i nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, në gusht 2014, ofron një kornizë për zgjerimin e ardhshëm dhe përbën një hap në drejtimin e duhur, si dhe në thelb, ky proces ka të bëjë me kredibilitetin e përgjithshëm të BE-së, transmeton KosovaPress.