Amnesti dhe Amnezi politike

Me gjasë si të formohet Qeveria e Kosovës, do t’i kthehemi veçorive të politikës kosovare të cilat kanë mbizotëruar në tri vitet e kaluara.

Opinion

12/07/2017 17:41

Teoria e relativitetit, jo e Albert Einsteinit, por e shqiptarëve në politikë, është kthyer ndër ne, në Kosovë. Fuqimisht, madje. Për sa kohë, këtë nuk e dimë.
Nuk është puna që do ta mësojmë ndonjëherë si duhet politikën, aq më pak Einsteinin, por që prej 12 qershorit e këndej, kur u kuptua kush sa fitoi (mandate), në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit, ranë në ujë (për të mos thënë në lloç), të gjitha parimet politike që me atë karakterin e vet absolut, e sjellën shtetin e Kosovës buzës greminës në tri vitet e kaluara.
Diskursi politik që ka qenë në fuqi që prej dimrit të vitit 2014-të e këndej, objektivisht i ka pasë të gjitha tiparet e përgatitjes së një konflikti të madh qytetar në Kosovë. Për fatin tonë të madh, qytetarët e Kosovës, së paku në ato vite, nuk e patën ndërmend që të rreshtohen në istikamet politike, apo, ato ua lënë vet politikanëve të vendit. Ata u treguan më të mençur se politikanët. Më të matur. Më të kujdesshëm. Këtë kurrë nuk duhet ta harrojmë.
Aty ku folet me të madhe për ‘tradhti kombëtare’, siç ishte rasti në këto vitet e fundit të politikës kosovare, aty harrohen të gjitha tiparet e tjera politike, aty më nuk flitet për të majtën dhe të djathtën, për kompromisin dhe dialogun politik, etj.etj.
Pushtetet kinse janë të ndara ndër ne, ashtu siç jemi mësuar gjatë ndërtimit të demokracisë këtupari, që nga përfundimi i luftës e këndej. Por ja që në vitet e shkuara, në Kuvend të Kosovës dhe jashtë tij, kemi qenë dëshmitarë kur u bëhej gjyqi politikanëve dhe partive, dhe kur në realitet, edhe simuloheshin, në sallën e Kuvendit por edhe kudo tjetër, në rrugë, verdiktet finale të këtyre gjyqeve.
Gjyqet e mirëfillta, me atë logjikën në të cilën bëjmë be të gjithë ne  (me ‘Sundimin e ligjit’), duhet të jenë në duartë e gjyqtarëve. ‘Gjyqi politik’ bëhet një herë në katër vjet, apo edhe më shpesh  (siç po na ndodhë neve), vetëm nga qytetari i vendit, nga votuesi.
Asnjëri prej këtyre gjyqeve nuk është dhe nuk duhet të jetë në duartë e askujt tjetër, sepse në atë rast, kemi dëmtimin thelbësor të demokracisë dhe të legalitetit. Natyrisht, pretendentë për të qenë gjyqtar suprem politik dhe moral në këtë vend kemi sot e kësaj dite, megjithëse të tillët janë në instancë të fundit palaço ordinerë. Atyre ju mungon vetëm cirku, për ta gjetë veten. Megjithëse nuk ka cirk në Botë që do t’i pranonte.
Në këtë politikën e këtij vendi, po mungon vullneti, mbase edhe guximi dhe dija që të trajtojmë si duhet këtë humbjen ‘madhështore’ të tri viteve të jetës politike në një shoqëri, çfarë na ndodhi neve. Ndërsa pa kuptuar dhe pa pranuar çka na ka ndodhë në të kaluarën e afërt, do ta kemi realisht të pamundur për të ecur tutje.
Sidoqoftë, tani, në këtë politikën kosovare, brenda ditës u bë apo u shpall njëfarë ‘amnestie politike’. Nuk ka më ‘tradhtarë’, apo ata u përzien në të gjitha taboret e mundshme me ‘patriotët’, ngjyrat absolutisht dominante në politikën e mëparme, ato bardh dhe zi, u përjashtuan nga skena, dhe tani ka laramani ngjyrash dhe personalitetesh, duke shpreh gatishmëri të madhe për koalicione dhe për bashkëpunim, megjithëse deri dje diçka e tillë ka qenë përtej çdo imagjinate të mundshme.
Këtu, natyrisht, i kthehemi valdititetit të Teorisë së relativitetit politik këndejpari.
Politika nuk është gjykatë. Shkurorizimi i politikës nga feja dhe nga morali ka ndodhë në Perëndim qindra vjet më parë. Politika nuk është sferë e vlerave absolute. Politika është organizimi i domosdoshëm i një shoqërie, ku subjektet dhe politikanët janë në garë për ta udhëhequr një vend dhe një shoqëri, në të mirë të qytetarëve dhe atij vendi. Kaq është puna.
Së paku në rrethanat e tanishme, duket që ky mësim është përqafuar prej të gjithë politikanëve të Kosovës. Kjo është mirë. Por kjo duket të jetë një gjendje kalimtare në politikën tonë. E paçim gabim, por duket që si të formohet Qeveria e Kosovës (nëse do të ketë shumicë për bërjen e saj), do t’i kthehemi të gjitha atyre veçorive të politikës kosovare të cilat kanë mbizotëruar në tri vitet e kaluara.
Mund të ndërrohen rolet dhe protagonistët, por me gjasë, politika në Kosovë nuk do të ndryshojë.