MI: Të gjitha rrugët regjionale në Kosovë janë të kalueshme

Ministria e Infrastrukturës ka deklaruar se pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të borës, të gjitha rrugët regjionale në Kosovë janë të kalueshme.

Lajme

10/01/2019 18:33

Pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të borës në Kosovë dhe ankesave të qytetarëve se nëpër komuna po kanë vështirësi në qarkullim, Ministria e Infrastrukturës thotë se të gjitha rrugët regjionale janë të kalueshme.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht janë në terren me ministrin Pal Lekaj dhe se të gjitha rrugët momentalisht janë të kalueshme.

“Momentalisht të gjitha rrugët në nivel vendi janë të kalueshme. Tash ndodhemi së bashku me ministrin Lekaj në inspektim të autostradës për Pejë, të autostradës R7 ishim në R6 dhe të gjitha rrugët regjionale janë të hapura”, ka treguar Kadriu për lajmi.net.

Sipas tij, deri më tani nuk është raportuar që ndonjë rrugë është e bllokuar apo që ka vështirësi në qarkullim.

“Deri më tani nuk kemi asnjë lajm nga terreni se ndonjë rrugë është e bllokuar ose ka vështirësi në qarkullim”, ka deklaruar Kadriu.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme shumë qytetarë nga e gjithë Kosova janë deklaruar se nëpër qytetet e tyre nuk është pastruar bora ashtu siç duhet, madje edhe në Prishtinë bora nuk është pastruar siç duhet. /Lajmi.net/