Amerikanët sulmuan Korasan, organizatë edhe më e rrezikshme se IS

Amerikanët në sulmet ajrore në Siri kanë likuiduar pjesëtarë të organizatës terroriste Korasan, që vlerësohet për SHBA-të si organizatë edhe më e rrezikshme sesa IS. 

Bota

23/09/2014 20:11

Bëhet fjalë për një grup terrorist të lidhur fuqishëm me Al Kaidan, e cila sajon plane për sulme terroriste në brendi të SHBA-ve.

Si tha zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby, Korasan ka planifikuar të kryejë së shpejti sulme terroriste ndaj caqeve perëndimore, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, por refuzoi të jepte më shumë hollësi për këtë.

“Kemi pasur indikacione shumë të besueshme se ky grup, që është jashtëzakonisht i rrezikshëm, hartonte plane dhe planifikonte që së shpejti të sulmojë caqe në Perëndim, që përfshijnë edhe ato në SHBA. Pikërisht për këtë arsye u mor vendim për goditje ajrore ndaj grupit Korasan në Siri”, tha Kirby për ABC News.

“Besojmë se kemi eliminuar individë të cilët bënin plane, por do të vazhdojmë luftën kundër këtij grupi terrorist”, shtoi Kirby.

Korasan në Siri është shumë e afërt me organizatën Al-Nusra, e cila para pak më shumë se një viti u nda nga IS dhe e cila tani lufton kundër IS dhe forcave të Asadit.

Burimet e inteligjencës amerikane thonë se këtë grup e përbëjnë rreth 50 luftëtarë me përgatitje të lartë ushtarake, të cilët vijnë nga shtete perëndimore (evropiane) dhe të cilët është më vështirë të zbulohen dhe identifikohen .

Raportet e Vëzhguesit sirian për të drejtat e njeriut flasin se në sulmet me raketa janë vrarë 50 persona, ndërsa sipas agjencisë së lajmeve Reuters, janë vrarë 70 persona.

Sipas ABC News, kërcënimi potencial i këtij grupi relativisht të vogël terrorist del nga raportet që flasin e ata po bëjnë eksperimente me bomba të padukshme të gjeneratës së re, që përbëhen nga materiale jo metalike. Ata planifikojnë që me bomba të tilla të pajisin pjesëtarët e tyre, të cilët pastaj do të udhëtonin me aeroplanë drejt SHBA-ve.

Kreu i këtij grupi është Muhsin al-Fahdi, për kapjen apo vrasje e të cilit SHBA-ja jep 7 milionë dollarë.