Amerikanët e britanikët kontestojnë kryetarët e Gjykatave

Ambasada Amerikane dhe Britanike thonë se përzgjedhja e kryetarëve të gjykatave mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ato kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) që urgjentisht të qartësojë këtë çështje dhe të konsiderojnë veprimet që duhet të ndërmarrin për të evituar dëmet e mëtejshme të imazhit të gjyqësisë në Kosovë.

Lajme

20/03/2017 23:52

Muaji dhjetor shënoi edhe kohën kur Këshilli Gjyqësor i Kosovës përzgjodhi shumicën e kryetarëve të gjykatave të Kosovës. Në muajin janar është zgjedhur kryetari i Gjykatës së Apelit, ndërsa përzgjedhje e kryetarit të Gjykatës Supreme u përmbyll në muajin mars të këtij viti.

Ambasada Amerikane dhe ajo Britanike në Kosovë po e kontestojnë ligjshmërinë e tërë këtij procesi.

KALLXO.com ka mësuar për një letër të cilën këto ambasada i kanë dërguar KGjK-së me të cilën shprehin shqetësimin për procesin e përzgjedhjes së kryetarëve të gjykatave themelore, të Apelit por edhe të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të Gjykatave nis me intervistimin e kandidatëve për kryetar nga një komision i cili formohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky komision pas intervistimit i propozon Këshillit Gjyqësor kandidatët në bazë të vlerësimit të arritur në testim.  Këshilli Gjyqësorë e përzgjedh për kryetar personin i cili merr shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të KGJK-së në një proces të fshehtë të votimit.

Ambasadat shprehin shqetësimin me votimin e fshehtë për përzgjedhjen e  kryetarëve të gjykatave e që në disa raste ka rezultuar që anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës me votimin e tyre të fshehtë kanë përzgjedhur kandidatë që nuk kanë korresponduar me rezultatet e arritura në bazë të meritave të intervistimit.

Rasti më i freskët i tillë është rasti i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku Enver Peci nga anëtarët e KGjK-së u propozua për kryetar me votim të fshehtë përkundër se kandidatja më e poentuar nga Komisioni Intervistues ishte Valdete Daka.