Amerika shkatërron Serbinë, fiton Botërorin e basketbollit

Kombëtarja e Amerikës ka arritur të shënojë fitore të lartë në finalen e Kampionatit Botëror në basketboll, duke e mposhtur në finale skuadrën e Serbisë me rezultat 129-92.

Sport

14/09/2014 23:50

Çereku i parë i takoi amerikanëve të cilët e fituan atë me një rezultat të thellë prej 35-21. Çereku i dytë i takimit ishte fotografi e çerekut të parë. Amerikanët zhvilluan një lojë perfekte duke mos i lënë Serbisë të luajë lojën e saj të zakonshme.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 67-41 në të mirë të amerikanëve, rezultat ky i cili pak a shumë e largonte dilemën për fituesin në finalen e sotme.

Çereku i tretë ishte përsëri shpërthyes për amerikanët, të cilët shënuan plotë 38 pikë, kundrejt Serbisë e cila shënoi vetëm 26 të tilla.

Për çudi, dhjetë minutat e fundit i takuan Serbisë pasi triumfoi me rezultat 25-24, por një gjë e tillë ishte sa për prestigj, pasi amerikanët e kishin siguruar shumë më herët triumfin në këtë finale.

Lojtari më i dalluar në këtë takim ishte amerikani Kyrie Irving i cili shënoi plotë 26 pikë dhe katër asistime. Pas tij ishte James Harden i cili realizoi 23 pikë dhe dy asistime.