Amerika e interesuar për fazën e fundit të dialogut: Mitchell e Scott në aksion

Shtetet e Bashkuara të Amerikës së fundi indirekt kanë lënë të kuptohet se e mbështesin shkëmbimin e territoreve, si opsion për zgjidhjen Kosovë-Serbi.

Lajme

31/08/2018 23:22

Ishte këshilltari i Trumpit, John Bolton i cili deklaroi se Amerika mbështetë çdo zgjidhje që arrihet nga Prishtina dhe Beogradi.

“Nuk do të jemi pengesë, dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, kishte thënë Bolton.

E pas kësaj deklarate Amerika ka filluar me biseda dhe takime me liderët e Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net.

Vetëm gjatë ditës së enjte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ambasadorin e Amerikës në Serbi, Kyle Scott.

“Me ambasadorin amerikan, Greg Delaëie, si dhe ambasadorin Kyle Scott, i cili është shef i misionit diplomatik amerikan në Beograd, sot biseduam për tema të ndryshme të interesit të përbashkët. Ambasadorëve amerikanë u rikonfirmova gatishmërinë e Republikës së Kosovës për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar Thaçi në facebook.

E disa minuta më vonë kishte biseduar në telefon me ndihmës-sekretarin amerikan, Ëess Mitchell.

Edhe nga ky i fundit kishte marrë përkrahje për fazën e fundit të dialogut me Beogradin.

“Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-Sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë process”, kishte shkruar Thaçi.

Në të njëjtën ditë, Mitchell kishte diskutuar në telefon edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjithë këto angazhime vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump kishte biseduar në telefon me kancelaren Merkel për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi.

Një takim i radhës ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ku do të diskutohet për territoret, do të ndodhë më 7 shtator. /Lajmi.net/