Amerika do të bashkëpunojë me Turqinë në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë bashkë me Turqinë për të siguruar që banorët lokalë të marrin kontrollin e zonave të çliruara në Siri, deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

Bota

18/02/2018 23:38

“Kemi rënë dakord me Turqinë mbi nevojën që banorët të marrin kontrollin e zonave të çliruara, për çka do të bashkëpunojmë me Turqinë edhe në parandalimin e çdo diversioni të mundshëm në çdo zonë tjetër”, tha Mattis.

Mattis tha më tej se, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe homologu i tij turk, Mevlut Çavusoglu kanë rënë dakord për një bashkëpunim mbi disa çështje shumë të rëndësishme, përcjell Atsh.

I pyetur se si do të funksionojë ky mekanizëm në Afrin dhe Munbixh të Sirisë, Mattis tha se është marrë angazhimi që të shqyrtohen detajet e mëtejshme.

“Pikërisht kjo është çështja, si do të funksionojë ky mekanizëm në Afrin. Kjo është ajo të cilën ne do të duhet ta përpunojmë si çështje. Gjithsesi do të gjejmë një zgjidhje”, tha Mattis.