Ambulanca të reja për dy fshatra të Vushtrrisë

Të enjten janë përuruar dy ambulanca në komunën e Vushtrrisë, njëra në fshatin Samadraxhë, dhe ambulanca tjetër në fshatin Dubovc.

Lajme

09/10/2014 19:18

Hapjen e këtyre dy qendrave shëndetësore, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku e ka vlerësuar një hap tjetër në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve për banorët e asaj pjese.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore për banorët e kësaj ane dhe është bërë një punë e mirë”, ka thënë mes tjerash Mulaku.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Abdullah Klinaku tha se me këto investime të Komunës shërbimet shëndetësore po iu afrohen qytetarëve.

“Qëllimi i investimeve kapitale në ndërtimin e qendrave shëndetësore në fshatra të Vushtrrisë është ofrimi i shërbimeve shëndetësore sa më afër qytetarëve”, theksoi Klinaku.