Ambienti i pafavorshëm afarist pengon investimet e huaja në Kosovë

Vonesa e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit, nuk duhet të paraqesë problem për investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë dhe ta investojnë kapitalin e tyre.

Lajme

24/07/2014 19:15

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, jo domosdoshmërish investimet e huaja duhet të lidhen më stabilitetin e institucioneve, zgjedhjen e qeverisë apo parlamentit.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se gjendja aktuale politike në Kosovë nuk është problem aq i madh për tërheqjen e investime të huaja, sa është problematik ambienti i pafavorshëm afarist.

“Rrezik për investitorëve paraqesin rastet kur vendi kalon në kriza të thella politike apo kur është rreziku që qeveria e re të ndryshojë komplet sistemin e qeverisjes. Por, këto kriza, siç është shtyrja e themelimit të qeverisë apo e kuvendit nuk duhet të paraqesin shqetësim për investitorët e huaj, për shkak se raste të tilla ndodhin edhe në vende të tjera, madje në periudha më afatgjate”, thekson Demi.

Gjatë viteve të fundit investimet e huaja në Kosovë kanë qenë të ndërlidhura më procesin e privatizimit të ndërmarrjeve e shoqërore e publike dhe, në raste të tilla, siç shprehet Demi, nëse një ndërmarrje publike është duke u privatizuar dhe priten investime të huaja, ndërkohë që nuk ka qeveri, atëherë kjo gjithsesi do të ishte problematike për investitorët.

Sidoqoftë, problemi më i madh për investitorët, sipas tij është ambienti i pafavorshëm biznesor në Kosovë.

“Kosova nuk e ka një ambient të mirë të të bërit biznes, në jemi një vend të vogël, forca punëtore nuk është e lirë në krahasim më vendet  e rajonit , ne kemi një fuqi punëtore më të shtrenjtë se vendet e rajonit,  kemi treg shumë më të vogël, mundësia për të eksportuar është shumë e vështirë. Këto janë probleme që nuk janë tejkaluar edhe kur ka pasur qeveri dhe nuk pritet të tejkalohen edhe për shumë vite”, vlerësoi Demi.

Sipas raportit të fundit të BQK-së, investimet e huaja gjatë vitit 2013 ishin 258.9 milionë euro.

Si pasojë e krizës globale financiare, investimet e huaja në raport me produktin e brendshëm bruto kanë shënuar rënie të vazhdueshme që nga viti 2008.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se shumë shtete në rajon kanë pako dhe strategji agresive për të tërhequr investitorë të huaj, derisa Kosovës i mungon një qasje e tillë.

Sipas tij, pa sundim të rendit dhe ligjit Kosova nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe as tërheqje të investitorëve të huaj.

“Nëse imazhi i Kosovës është mjaft i dëmtuar, në qoftë se gjithkund në Kosovë dhe për Kosovën flitet për mos sundim të rendit dhe ligjit, për mungesën e një pakoje për investitorët e huaj dhe tani edhe ngritja e çmimeve, atëherë lind pyetja kush do të jetë ai investitor nga jashtë, i cili do t’ia mësyjë Kosovës dhe do të investojë”, tha Gërxhaliu.

Në vitin 2013, struktura e investimeve direkte të huaja ishte kryesisht e koncentruar në sektorin e patundshmërive, ndërtimtarisë, transportit dhe telekomunikacionit, si dhe në sektorin e shërbimeve financiare.

Shteti i cili ka realizuar pjesën më të madhe të investimeve në Kosovë mbetet Turqia me 86.8 milionë euro.