Ambientalistët shqiptarë: Hiqni qentë nga rruga, merrini në shtëpi

Shumëkujt do t’i dukej çudi, madje një lajthitje e momentit, ideja e ambientalistëve për t’i marrë qentë e rrugës në shtëpi. Në fakt ambientalistët dhe aktivistë të mbrojtës së kafshëve thonë se kafshët shtëpiake si qeni dhe macja kanë vlera të jashtëzakonshme për shëndetin e njeriut, duke shëruar edhe sëmundje që mjekësia nuk iu jep zgjidhje.

Lajme

25/08/2014 12:58

Sazan Guri ambientalist i njohur në Tiranë, ideues i dhjetëra kauzave për mbrojtjen e kafshëve i konfirmon raste të tillë.

Ai thotë se kurrsesi qentë apo çdo kafshë tjetër nuk duhet vrarë.

Para pak kohësh ishte Bashkia e Tiranës dhe disa bashki të tjera të vendit, të cilat nisën aksionin për ti vrarë qentë e rrugës pasi ata ishin shtuar shumë dhe rrezikonin të përhapnin sëmundje te njerëzit, por protesta të shumta vërshuan kundër vrasjes së kafshëve.

Shoqatat e mbrojtjes së kafshëve kërkuan që të gjenden metoda më humane ndaj rasteve të qenve të sëmurë si sterilizimi, apo gjilpërat e tjera, por jo të vriten me armë, pasi këtë gjë nuk e lejon as ligji shqiptar për mbrojtjen e kafshëve.

“Ne përsëri kemi rënë në qetësi me besimin se Bashkia skuadrën e pushkatimit të qenve e ka kthyer në skuadër të trajtimit të qenve, por nuk do lihet me kaq, pasi ata duhen kontrolluar. Ne jemi një popull që e nis paragjykimin me qentë si kafsha që duhet vrarë”. 

“Madje jo vetëm populli i thjeshtë por deri në profesorë, deri në akademikë, që nuk e vret mendjen se si mund të gjendet një rrugëzgjidhje me këto kafshë endacake. Nuk vriten kurrë nuk preken me dorë për tu vrarë, vetëm në rastet kur një grup veterinerësh (6 të tillë), mund të thonë që kjo kafshë ka një sëmundje të papërballueshme, dhe atëherë me një eutomazi, një gjilpërë vdekjeprurëse por pa dhimbje, mund të gjendet mënyra për ta eleminuar, por ama jo një popull që mendon ti vrasë me armë qentë e rrugës, vrasja kurrsesi nuk është zgjidhje”.

Shqiptarët duhet të mësojnë dhe të binden se qeni është një kafshë nga e cila njeriu ka një mijë përfitime. Guri na tregon se si marrëdhënia e njeriut me kafshët, konkretisht me qenin, mund të krijohet e tillë deri në atë pikë sa ne të shërohemi prej kësaj kafshe ‘magjike’. 

“Qentë që shiten si në burgje, nëpër dyqane duhet tu vësh një taksë, që me këtë taksë të mirëmbash qentë e rrugës. Mundësisht populli shqiptar duhet të mësohet që ta marr qenin e rrugës, që është qeni më i mençur në botë ta marr për qen shtëpie, dhe është shumë më i mirë se qeni shtëpiak që ti e ble 300 apo 400 mijë lekë”. 

“Duhet të mësohet populli shqiptar që ta marri qenin e rrugës, ta pastrojë e ta krehi pasi lëkura e tij prodhon një energji elektrike që i bën mirë zemrës së njeriut, duke ecur me qenin një xhiro në darkë ritmi i ecjes së qenit hyn në një ritëm me zemrën e njeriut dhe e fut zemrën në sinkron; ka një frymë me mikroelementë, dhe njeriut i bën shumë mirë fryma e qenit; fëmijët që rriten me qentë janë antialergjikë ndaj natyrës, dhe kjo është shkencë e vërtetuar; kur një person me kancer përkëdhel qenin kanceri kalon te qeni”.

“Kur një person i sëmurë, mjekësia nuk ka mënyrë ta zbulojë apo diagnostikojë, qeni e zbulon të zotin me anë të urinës dhe me anë të erës, që i zoti ka një sëmundje që mjekësia nuk e ka kapur dot. Pra qeni që unë e kam në shtëpinë time ka një mijë vlera e përfitime, dhe është njeriu ai që përfiton”, thotë Guri. (Kosovapress)