Ambasadori serb në Tiranë, në Katedralen Ortodokse

Ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariq ishte të ndër të paktët diplomatë të akredituar në Tiranë që ka vizituar sot Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” me rastin e festës së “Krishtlindjeve”. Ai është pritur nga klerikët më të lartë të kësaj kishe.

Lajme

25/12/2014 17:21

Diplomati serb në Tiranë mori pjesë në ceremoninë e kremtimit të lindjes së Krishtit në katedralen në qendër të kryeqytetit, në të cilin disa muaj më parë gjatë ceremonisë së inaugurimit të saj ishte i pranishëm dhe Kryepeshkopi serb, Irinej, i cili njihet si kleriku që ka bërë disa deklarata të forta politike kur ka thënë më herët se: “Kosova është zemër e Serbisë”.

Po ashtu disa muaj më parë në këtë katedrale të rinjtë serb kanë ngritur flamurin e Serbisë ditën e inaugurimit të saj, veprim ky që nuk u prit mirë nga media dhe kritika sidomos në Kosovë.

Po ashtu gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Kishën Ortodokse Ngjallja e Krishtit në Tiranë, ra në sy edhe prezenca e ish Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.

Për Fullani kjo ishte dalja e parë publike pas akuzave që iu bënë për përgjegjësinë e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë në korrik të këtij viti.