Ambasadori rus i zemëruar me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës ndërkombëtare, por edhe të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të UNSCR, që askush nuk e ka shfuqizuar.

Lajme

03/09/2015 11:33

Kështu e ka komentuar ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Chepurin, përpjekjet e Prishtinës për tu anëtarësuar në UNESCO, transmeton lajmi.net.

Gjatë një interviste dhënë “Sputnik”, Chepurin ka theksuar se kjo është një çështje politike dhe se nuk ishte nevoja që ta “vë këtë organizatë ndërkombëtare në një pozitë të vështirë”.

“Personalisht, besoj se çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare përbën shkelje të të gjitha rregullave ekzistuese ndërkombëtare, siç janë: Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244”, ka deklaruar Chepurin.

Siç është shprehur ai, “UNESCO është një organizatë që funksionon me sistemin e Kombeve të Bashkuara dhe që vepron në përputhje me këtë fakt”.

“Praktika e presionit dhe përpjekjeve të disa subjekteve që në mënyrë të paligjshme të imponojnë fillimin dhe shqyrtimin e çështjes së Kosovës ose votimin, është e papranueshme. Sipas situatës aktuale, ku konfrontimi ndërkombëtar është shumë i mprehtë, kjo është veçanërisht kundërproduktive”, ka shtuar ambasadori rus. (lajmi.net)