Ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë prezantohet në gjuhën shqipe (video)

Donald Lu është ambasadori i ri i SHBA-ve në Tiranë, i cili me anë të një videoje është prezantuar në gjuhën shqipe për publikun shqiptar. Në video-mesazh ai tregon se cili do të jetë misioni i tij dhe çfarë dëshiron t’iu ofrojë shqiptarëve.

Lajme

09/01/2015 15:47

“Mirëdita! Quhem Don Lu dhe jam shumë i gëzuar që Presidenti Obama më ka zgjedhur mua si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, – shprehet ai që në krye. – Si shumë amerikanë, edhe unë jam djali i një emigranti. Babai im erdhi në Amerikë nga Kina dhe ka punuar shumë për t’u dhënë fëmijëve të tij, shanse që ai vetë nuk i ka pasur kurrë. Ajo ishte ëndrra e tij amerikane.

Unë e di që t’u sigurosh një të ardhme më të mirë, fëmijëve tanë, është një ëndërr që amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njeri-tjetrin. Si ambasador jam i angazhuar të mbështes përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e institucioneve demokratike, ta bëjmë Shqipërinë aleat më të fuqishëm të NATO-s dhe të punojmë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.”

Në një moment, pranë ambasadorit Lu,sikurse shihet në video, afrohet bashkëshortja e tij, të cilën ai e prezanton kështu: “Kjo është gruaja ime, Ariel, që do të vijë me mua në Shqipëri, sëbashku me fëmijët,”- shprehet ai në vazhdim.