Ambasadori i Maqedonisë i ofroi Haradinajt mbështetje për rrugën evropiane të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, me të cilin diskutuan për sfidat dhe rrugëtimin e përbashkët të të dyja shteteve drejt perspektivës evropiane.

Lajme

16/09/2017 17:01

Kryeministri Haradinaj theksoi se marrëdhëniet diplomatike dhe ndër-institucionale të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë janë të shkëlqyera, dhe se ato duhet të thellohen sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar.

 Kryeministri Haradinaj e njoftoi ambasadorin Strashevski se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve deri në qartësimin e saktë kohorë të perspektivës evropiane.

 Kryeministri Haradinaj tha se qeveria sot ka një dinamikë përpara, dhe se është përqendruar në prioritetet e qeverisjes së mirë, sundimit të rendit dhe ligjit, reformat në ekonomi, shëndetësi dhe arsim dhe po adreson me intensitet të lartë të gjitha nevojat urgjente të qytetarëve të vendit.

 Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, Ilija Strashevski, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për dinamizmin dhe energjinë e re që ka sjellë në logjikën qeverisëse të Kosovës, ofroi mbështetjen e plotë të Maqedonisë në agjendën evropiane të Kosovës, si dhe bashkëpunim të shtuar në fushën e Diplomacisë Ekonomike. /Lajmi.net/