Ambasadorët ndërkombëtarë kërkojnë ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar

"Java Kundër Korrupsionit" ka mbledhur në një vend ambasadorët e të gjitha vendeve, të cilët po kërkojnë me ngulm luftimin e korrupsionit në kuadër të këtij organizimi.

Lajme

10/12/2018 10:48

Ambasadorët e huaj në Kosovë, i tërhoqën vëmendjen Kosovës se nuk vijnë këtu  që katër vite për të shpjeguar se çka është korrupsioni, por për ta luftuar atë.

Ambasadori amerikan Philip. S Kosnett ka përmendur rastet kur zyrtarët në Kosovë marrin mito dhe abuzojnë me pozitat e tyre.

Kosnett ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që t’i ndëshkojë zyrtarët e korruptuar.

“Disa zyrtarë marrin mito, punësojnë të afërt dhe abuzojnë me pozitën e tyre për të përfituar vet. Në Kosovë ka zyrtar që e vënë interesin personal para të mirës publike. Qeveria duhet ta dëshmoj që është e gatshme t’i ndëshkoj zyrtarët e korruptuar”, ka rekomanduar Kosnett.

Përhapjen e këtij fenomeni e ka përmendur edhe ambasadori italian i cili kërkoi bashkëpunim ndërkombëtar për të arritur sukses në luftën kundër korrupsionit.

“Asnjë vend nuk është imun prej korrupsionit as Kosova. Bashkëpunimi ndërkombëtar është çelës për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit. Transparenca është e domosdoshme. Korrupsioni pengon potencialin ekonomik, luftimi i korrupsionit është thelbësor”,është shprehur ai.

Ndërkohë zv/ambasadori gjerman ka treguar se janë të gatshëm të investojnë edhe 60 milionë euro në Kosovë me kushtin që paratë të mos shkojnë në xhepat e të korruptuarve, raporton “Zëri.info”.

“Korrupsioni dëmton të gjitha projektet. Jemi të gatshëm t’i shpenzojmë edhe 60 milionë euro për investime në Kosovë, por të mos ketë korrupsion që paratë të mos shkojnë në xhepat e të korruptuarve”, ka treguar ai.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruairi O’Connell përmendi përparimet që ka arritur shteti i tij në luftën kundër korrupsionit.

“Shteti im Britania ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Kosova të merr masat e ngjashme. Nuk vijmë katër vite me radhë për të shpjeguar çka është korrupsioni. Lufta kundër korrupsionit është luftë e kosovarëve. Ka nevojë për trimëri nga zyrtarët”, ka thënë O’Connell.

Ky organizim u bë nga organizatat jo qeveritare “IKD”, “GLPS”,”ÇOHU”, “INPO”, GAP”, COLUMBUS”, “KIPRED”, “ACDC”.