Ambasadorët e huaj kërkojnë ministra kredibilë në Qeveri

Zyrtarë nga vendet e QUINT-it thonë se nuk përzihen në çështjen e zgjedhjes së ministrave të rinj në Qeverinë e Kosovës, megjithatë ata theksojnë nevojën që në krye të dikastereve qeveritare të emërohen përfaqësuesit më kredibilë të vendit. Ndryshime pritet të ketë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në atë të Drejtësisë.

Lajme

28/05/2016 08:25

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë dhe të Gjermanisë kanë mohuar të jenë të përfshirë në procesin e përzgjedhjes së ministrave të rinj në Qeverinë e Kosovës, pasi që, siç thonë ata, kjo çështje i takon ekzekutivit të vendit.

Megjithatë kanë theksuar nevojën që në postet ministrore të emërohen njerëz të kualifikuar dhe kredibilë, pasi, sipas ndërkombëtarëve, është përgjegjësi e ministrave që ta luftojnë korrupsionin dhe ta zhvillojnë ekonominë e vendit.

Zëdhënësja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, J. Michelle Shohn, ka thënë për “Zërin” se kjo Ambasadë vazhdimisht ka theksuar nevojën që njerëz kredibilë dhe të kualifikuar të emërohen në postet ministrore, megjithatë Shohn ka thënë se kjo Ambasadë nuk ndikon në procesin e emërimit të tyre./Zëri