Ambasadore, faleminderit!

Derisa të kënaqemi me “bukë e long”, derisa nuk kërkojmë përgjegjësi ndaj liderëve të zhytur në korrupsion e krim të organizuar, derisa e fëlliqim edhe tokën në të cilën me shekuj është derdhur gjak dhe derisa të presim se “Zoti e bon mir”,  duhet të përpijmë edhe “fyerjet” e ambasadores Tracey Ann Jacobson. Ambasadore, faleminderit! Sepse, vërtetë është koha e fundit, të këndellemi si shoqëri ose të mbytemi në m...!

Lajme

06/11/2014 16:13

Si gazetar, kur e kam pasur rastin të jem në një tavolinë, darkë miqësore a drekë pune, me ndonjë diplomat amerikan, i mllefosur me zhvillimet politike e ekonomike në vend, jo prej 8 qershorit, por edhe shumë kohë më përpara, i pyesja se si komunikojnë kur takohen me liderët tanë, troç (“shqip”) apo me gjuhë diplomatike (“anglisht”).

Por duke qenë gazetar, pavarësisht se më bënin me dije se ua shpjegojnë mirë të gjitha të metat që kanë si liderë, institucionet tona, e për rrjedhojë edhe shoqëria jonë, prapë se prapë ruheshin, më flisnin me gjuhë diplomatike, jo hapur ashtu siç foli sot ambasadorja Tracey Ann Jacobson.

E kërkoja këtë përgjigje duke qenë mirënjohës përgjithmonë ndaj ndihmës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës historikisht i kanë ofruar kombit shqiptar, në veçanti ndaj angazhimeve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Mendoja se liderëve tanë nuk u thuhet troç “mos e dhini punën” ashtu sikurse ua tha sot hapur ambasadorja Jacobson. Përndryshe, do të vëreheshin ndryshimet!

Por e vërteta është se liderëve tanë mesazhe të këtilla “miqësore” u janë dhënë veç e veç, sy më sy, edhe në të kaluarën. Por duke e parë se nuk po ndryshojnë, se nuk kanë marre as moral, se janë në gjendje t’ia hanë edhe “kockat” Kosovës, “për të mirën e saj”, amerikanët e bënë publik mesazhin e tyre. 

Ambasadorja, duke kujtuar nëpër mend të kaluarën tonë të dhimbshme dhe ndihmesën amerikane për ta na sjell deri në këtë ditë, ndryshe sot do të ishim të stërpikur nëpër botë, e frustruar u tha të gjithë liderëve tanë, me një fjalë edhe neve, “mos e dhini punën”, sepse jeni duke falimentuar edhe si shoqëri edhe si shtet.  

Një pjesë e shoqërisë sonë, për një çast, natyrshëm, u ndije e ofenduar me këtë “skandal diplomatik”, por njëkohësisht, është pikërisht kjo pjesë e shoqërisë që vërtetë e do një Kosovë ndryshe, që ka respekt për gjakun e dëshmorëve dhe për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe e falënderon ambasadoren për çiltërsinë e saj. E kemi detyruar të shprehet kështu!     

Prej vitesh flitet e shkruhet nëpër media, me fakte, për korrupsionin, nepotizmin, tenderët, aferat e politikanëve një, dy, e tre milionëshe, por pas dy-tre ditësh buje nëpër lajme, gjithçka kalon në heshtje, thua s’ka ndodhur asgjë.

Prej vitesh flitet për krimin e organizuar dhe shpëlarjen e parave, ku janë të përfshirë biznesmenë e politikanë, por asnjëri prej tyre nuk është në burg. Të paktën jo ata për të cilët flitet, ata që kontrollojnë bizneset dhe që e kanë fëlliqur e shndërruar këtë vend në një “xhungël majmunësh”.  

Dhe prej vitesh flitet për radikalizmin fetar, për nxitjen e përçarjes ndërfetare brenda shqiptarëve, diçka që nuk e kemi pasur kurrë traditë, por derisa nuk u mbështeten për murit, askush nga ata që ishin përgjegjës për ta penguar këtë fenomen, nuk reagoi për gjitha këto vite, për një arsye a tjetër.

Si shoqëri kemi problem të madh derisa pushtetet nuk i ndajmë ashtu si duhet, me vepra, jo me fjalë; derisa politikanë të korruptuar, biznesmenë që u ikin taksave, ekstremistë të veshur si hoxhallarë, që të gjithë të njëjtë, të dëmshëm për Kosovën, futen në burg nga një gjykatë, e lirohen nga një tjetër.

Ne si shoqëri civile nuk duhet ta pranojmë korrupsionin si mjet mbijetese, por të vuajmë derisa të bëjmë shtet të së drejtës, të kërkojmë llogari nga liderët tanë, jo për hatër të një partie a tjetre, as për hatër të ambasadores amerikane, por për respekt ndaj ndihmës së shtetit të saj, dhe në radhë të parë për Kosovën.      

Sepse, derisa të kënaqemi me “bukë e long”, derisa nuk kërkojmë përgjegjësi ndaj liderëve të zhytur në korrupsion e krim të organizuar, derisa e fëlliqim edhe tokën në të cilën me shekuj është derdhur gjak dhe derisa të presim se “Zoti e bon mir”,  duhet të përpijmë edhe “fyerjet” e ambasadores Tracey Ann Jacobson. Ambasadore, faleminderit! Sepse, vërtetë është koha e fundit, të këndellemi si shoqëri ose të mbytemi në m…!