Ambasadat, vendlindja e dytë e qytetarëve të Maqedonisë (VIDEO)

Trendi i ikjes nga Maqedonia ditë e më shumë po merr hov. Nuk ka ditë që para ambasadës së Gjermanisë nuk gjen kolonë që pret për të aplikuar për vizë punë. Redaksia jonë para ambasadës ka intervistuar aplikues, të cilët kanë numëruar shkaqet e ikjes nga vendi dhe kushtet e vështira ekonomike në Republikën e Maqedonisë, shkruan gazeta Lajm.

Lajme

07/03/2018 12:09

“Një ndër gjërat më të rëndësishme që luajnë rol të rëndësishëm janë kushtet ekonomike, d.m.th se këtu mbizotëron papunësia. Mendoj se si gjithë të rinjtë shkojnë për një ardhmëri më të mirë”, deklaroi Edona Hasani, studente, aplikuese për vizë para ambasadës së Gjermanisë në Shkup.

Hamzi Amzai, një tjetër aplikues numëron arsyet e ikjes. “Arsyet janë si për të gjithë qytetarët për një jetë më të mirë, për mirëqenie më të mirë. Po të ishte Maqedonia me kushte të mira, nuk do të ishim detyruar ta braktisim vendlindjen tonë, por do kishim jetuar këtu”.

“Për arsye se 48 vite nuk kam punuar asnjë ditë të vetme. Kam dy fëmijë. As ndihmë sociale nuk kam, vetëm se me një pension te babait 13.000 denarë. Për këtë arsye kam vendosur të punoj në Gjermani, kjo është arsyeja që aplikoj për vizë”, theksoi Mahi Osmani, aplikues për vizë.

Sebajdin Memedov, tregon se që kur ka lindur në Maqedoni nuk ka asnjë ditë pune në këtë vend.
“Isha azil kërkues prej vitit 1988 deri më 1996, i hetova kushtet atje si jetohet, popull i sinqertë, si në kulturë edhe në gjithçka. Këtë nuk e kemi pasur kurrë dhe kurrë nuk do ta kemi në Maqedoni, atë kulturë që e kanë ato atje. Dhe, për këtë nuk jam falënderues këtu në Maqedoni”, veçoi Memedov për gazetë Lajm.

Harris Selmani shprehet se: “Në këtë shtet është bërë shumë vështirë. Posaçërisht për të rinjtë. Mund të studioni, mund të mbaroni arsim të lartë, të aplikoni në shumë vende të punës… por, dyert i gjeni të mbyllura nëse nuk keni lidhje me ndonjë parti politike. Ka arsye edhe ekonomike. Kualiteti i jetës është në nivel të ulët, në krahasim me vendet europiane. Ta marrë si shembull Gjermaninë, ku kualiteti i jetës është i garantuar gjithashtu edhe të drejtat themelore”.

Aplikuesit që pritnin në kolonë para ambasadës gjermane theksin e kanë vënë edhe në pamundësitë për të gjetur punë në Maqedoni.
“Në fakt kam tentuar disa herë. Mirëpo, si çdo herë kam marrë përgjigje negative dhe duke u nisur prej atij dëshpërimi kemi filluar për vizë të aplikojmë. Mendoj se, me mund arrihet gjithçka e pamundur. Prapë se prapë nuk duhet shkëputur shpresat se edhe për këtë vend një ditë do të çel pranvera”, deklaroi Hasani.

“Kam punuar edhe ne Maqedoni dihet sa është rroga këtu 200 Euro nuk mund të ia dalësh në krye. Për këtë shkak me familje po ikim prej këtu, sepse fëmijët duan jetë më të mirë për t’i vazhduar studimet me kushte më të volitshme”, theksoi Amzai.
“Shihet se në Maqedoni nuk ka punë për askënd. Familja ime janë të gjithë jashtë vendit. Jam munduar me shoqëri, por nuk kam arritur sukses, sepse nuk kam të kryer shkollë”, u shpreh Osmani.

“Për arsye se nuk kam punuar asnjë ditë, kam të kryer shkollën fillore dhe nuk kam punuar kurrë. Për këtë shkak morëm vizë bashkë me bashkëshorten dhe jemi atje gati një vit. Kurrë nuk mendoj të kthehem. Këtu nuk jetohet. Unë jam gati 55 vjeçar kam kaluar gjendje të rënda, kurse për rininë këtu është rënd, për zotin . Unë kam djalë e vajzë, të dy, nuk janë të punësuar askund. Presim të marrin ndihmë sociale edhe atë nëse kemi ndonjë borxh për rrymë ose ujë. Nuk kemi prej ku të financohemi. Shumë herë kam aplikuar, por nuk më kanë pranuar dhe kurë nuk kam punuar ne asnjë fabrikë në Maqedoni”, pohoi Memedov.

YouTube player