Ambasada serbe në Tripoli goditet nga minahedhësi

Libia po fundoset në një vend pa pushtet. Në kryeqytetin Tripoli, si dhe në portin më të madh detar, Bengazi, po zhvillohen luftime të ashpra midis trupave të regjimit dhe militantëve islamikë. 

Bota

28/07/2014 23:49

Në Tripoli luftimet më të ashpra po zhvillohen rreth aeroportit. Të hënën një raketë goditi një nga rezervuarët në depon më të madhe të naftës në Libi, në të cilin gjendeshin 90 milionë litra benzinë. Sipas deklaratave të dëshmitarëve, granatat nga minahedhësit po fluturojnë nëpër mbarë qytetin dhe njëra nga to qëlloi ambasadën e Serbisë, kurse është sulmuar edhe një konvoj i automjeteve të ambasadës britanike.

Luftime të ashpra “të gjithë kundër të gjithëve” dhe kaosi i plotë ka detyruar MPJ-në e Kroacisë që të kërkojë nga stafi i ambasadës së saj largimin nga Tripoli, raporton gazeta kroate Jutarnji list.

Pos diplomatëve kroatë, nga Tripoli po largohen edhe stafi i OKB-së, ai i ambasadës së SHBA-ve, Turqisë etj.

Analistët thonë se Libia është në shkallën më të madhe të dhunës që nga rënia e Gadafit, në vitin 2011.

Gjendja momentale në Libi ka qenë e pritshme. Bëhet fjalë për një vend të përbërë nga tri krahina,  Kirenaike, Bengazi dhe Fezana.

Pas rënies së diktatorit nuk u paraqit asnjë person apo lëvizje që do të integronte vendin, ndërkohë që të pakënaqurit morën armët në dorë për të realizuar interesat e veta, para së gjithash për të marrë pjesën më të madhe të fitimit nga shitja e naftës.