Ambasada e SHBA-ve: Votimi i djeshëm në UNESCO s’është deklarim për pavarësinë e Kosovës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka lëshuar sot një deklaratë për media ku komenton votimin e djeshëm në UNESCO. Sipas kësaj deklarate rezultati i atij votimi ishte zhgënjyes, por ai nuk lidhet me pavarësinë e Kosovës e as me reflektimin e pozitës së saj në botë.

Lajme

10/11/2015 15:30

“Shtetet e Bashkuara e përkrahin fuqishëm Kosovën si një shtet multietnik, demokratik, të pavarur dhe sovran. Ndonëse rezultati i votimit të djeshëm që ia mohon Kosovës anëtarësinë në UNESCO ishte zhgënjyes, kjo nuk është një deklarim lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe as reflektim i pozitës së saj në botë”.

Në këtë ambasadë thonë se 92 vota pro Kosovës dëshmuan rëndësinë e këtij shteti në skenën ndërkombëtare.

“Në të vërtetë, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë është e inkurajuar nga 92 votat “për” të cilat vërtetojnë rëndësinë e Kosovës në skenën ndërkombëtare. E dimë që Kosova është e përkushtuar ndaj punës së rëndësishme të bërë nga UNESCO-ja, sidomos në fushat si lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm përmes arsimimit dhe promovimi i mbrojtjes së trashëgimisë së rrezikuar kulturore, dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim Kosovën dhe popullin e saj në aspiratat e tyre për të marrë vendin e tyre të merituar si kontribues të paqes dhe stabilitetit në arenën globale, përfshirë në UNESCO”, thuhet në deklaratë. /lajmi.net