Ambasada e Kosovës në Tiranë, në rrezik

Kryeministri i Shqipërisë është pyetur sot nga gazetarët në Tiranë lidhur me objektin e Ambasadës së Kosovës në kryeqytet, për të cilin është bërë një gjyq pronësie vitet e fundit dhe pronari i tokës ku ndodhet objekti e ka fituar gjyqin.

Lajme

23/03/2015 19:40

Lidhur me pyetjen nëse objekti do të zhvendoset apo do të qëndrojë aty ku është sot, Edi Rama tha se nuk është biseduar për këtë çështje gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por, sipas tij, e gjithë kjo situatë nuk rrezikon godinën e Ambasadës së Kosovës.

“Nëse Ambasada do të lëvizë, kjo do të ndodhë vetëm për të qenë më mirë”, tha ai.

Madje për këtë çështje Rama nuk la pa kritikuar edhe Bashkinë e Tiranës, e cila, sipas tij, i ka mbaruar të gjitha objektet publike dhe nuk ka lënë asnjë bosh.

Aktualisht, objekti i Ambasadës së Kosovës në Tiranë ndodhet në një nga zonat më të mira të kryeqytetit, në rrugën Donika Kastrioti, vila nr. 6, 1001.

Për më tepër, ajo ndodhet në mes të asaj të Serbisë dhe të Rusisë.

Kjo godinë i është bërë dhuratë Qeverisë së Kosovës vitin e shpalljes së Pavarësisë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Më herët, kjo vilë ka qenë e zyrave të OSBE-së në Tiranë.

Por trualli ku ndodhet sot Ambasada ka probleme pronësie.

Gjykata e Rrethit të Tiranës, në vitin 2012, me një vendim të saj, i ka kthyer pronën ku ndodhet objekti i Ambasadës pronarëve legjitimë të saj, por selia diplomatike e Kosovës vazhdon të ushtrojë aktivitetin e saj aty.

Lidhur me këtë çështje reagoi sot pasdite edhe Bashkia e Tiranës, e cila në një njoftim për shtyp thotë se “Deklarata e Ramës është në vijim të çoroditjes së kryeministrit, të cilit i duhet të përballet me qytetarët dhe keq-qeverisjen e tij, dhe nuk di ç’ bën e ç’ flet. Kjo është kompetencë e Qeverisë dhe reagimi i sotëm tregon injorancën e ish-kryebashkikut të djeshëm, sot kryeministër”.