Matoshi i kundërpërgjigjet BE-së: Taksa hiqet vetëm kur Serbia ta njoh Kosovën

Gjatë ditës së sotme, Bashkimi Evropian i ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës në të cilën ka kërkuar një pakt për heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë.

Lajme

16/12/2018 17:33

Bashkimi Evropian gjatë ditës së sotme i ka dërguar një letër Qeverisë së Kosovës, për të arritur një pakt në lidhje me heqjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, shkruan lajmi.net.

Edhe pse kjo letër nuk u bë publike nga vet Qeveria e Kosovës, aty thuhej se BE-ja në këmbim të taksës prej 100 për qind, i ka ofruar Kosovës që të përfaqësohet në CEFTA si “Kosovo*”, dhe jo përmes UNMIK-ut.

Pas kësaj, ka reaguar Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Matoshi ka shkruar se Kosova do  ta tërheq taksën vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i Matoshit pa ndërhyrje:

Kryeministri Ramush Haradinaj po ia kthen Kosovës identitetin e 17 shkurtit, të dâmtuem nga brenda e të defiguruen nga jasht.

Letra e Federica Mogherinit, që thërret Prishtinën zyrtare, për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 shkurtin. Me sovranitetin dhe terësinë tokësore të saj.

Pra, kosovarët janë shumë europianë, aq sa nuk bëjnë pazare me pavarësinë e tyre kombëtare.

CEFTA-n e ka nënshkru UNMIK në emën të Kosovës, e cila tash është një entitet i pavarur juridik-politik, i patjetërsueshëm dhe i pazhbëshëm si subjekt i të drejtës ndërkombëtare.

Taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e tij!

Kryeministri Haradinaj e ka bâ të qartë për miqt dhe armiqt e Republikës: 17 shkurti nuk preket as nuk negociohet!. /Lajmi.net/