‘Amadeus’ mbështet talentët me nevoja të veçanta

Konsiderojmë se këtë nismë të shkollës së muzikës ‘Amadeus’ do të vazhdojnë ta përkrahin bizneset dhe organizatat tjera sepse shkollimi profesional muzikor përveç që është kulturë është rrugë e cila hap dyert e një përcaktimi profesional në të ardhmen, shkruan KultPlus.

ShowBiz

02/02/2017 15:56

Në maj të vitit 2016 Ministria e Kulturës ka mbështetur projektin e shkollës së muzikës “Amadeus” për identifikimin e talentëve në mesin e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijëve të Sos Fshatit.

Gjatë realizimit të projektit u identifikuan shumë talent në mesin e tyre. Nga këta fëmijë, 6 prej tyre janë nxënës të shkollës së muzikës “Amadeus” dhe tani më kanë marrë pjesë në koncertin e festave të fundvitit në instrumentet përkatëse.

Shkollimi një vjeçar i njërit nga këta nxënës të talentuar u mundësua me angazhimin e përkushtuar të deputetit Kujtim Paçaku. Ndërsa shkollimi një vjeçar i nxënësit të dytë u realizua me mbështetjen përmes bursës 1 vjeçare nga Korporata Rugove. Në këtë mënyrë “Korporata Rugove” përmbush edhe standarde të vlefshme për përgjegjësinë sociale të cilën tani më e ka dëshmuar edhe me përkrahje të tjera të kësaj natyre. Shkollimin e 4 nxënësve të tjerë vazhdon ta financojë shkolla e muzikës “Amadeus”.

Kujtojmë se përkrahja e tillë është një nismë e mrekullueshme dhe e rëndësishme për shoqërinë tonë dhe largon barrierat ekzistuese. Konsiderojmë se këtë nismë të shkollës së muzikës Amadeus do të vazhdojnë ta përkrahin bizneset dhe organizatat tjera sepse shkollimi profesional muzikor përveç që është kulturë është rrugë e cila hap dyert e një përcaktimi profesional në të ardhmen.