Alves mund ta lë Barçën

Dani Alves mund të largohet nga Barcelona gjatë verës. Mbrojtësi brazilian thotë se ka ardhur koha për ndryshime. Ndërkohë, ish futbollisti i Sevillas kërkon fitore ndaj Elches, për ta mbajtur hapin për titull të kampionit në La Liga.

Sport

09/05/2014 10:51

E ardhmja e Dani Alvesit në Barcelonë është vënë në dyshim. Mbrojtësi i djathtë brazilian ka paralajmëruar se mund të largohet nga Camp Nou, për t’iu bashkuar një ekipi tjetër gjatë verës, pasi konsideron se ka nevojë për ndryshime.

“E ardhmja ime? Kam shumë dyshime rreth vazhdimit tim këtu. Kam nevojë për energji, këtë verë diçka duhet të ndryshojë”, deklaroi fillimisht ish futbollisti i Sevillas, në një intervistë për RAC1.

Ndërkohë, përfaqësuesi brazilian ka folur edhe për garën për titull të kampionit në La Liga, ku Barcelona e ka një mundësi të artë, nëse i fiton dy ndeshjet e ardhshme.

“Pa dyshim do të ishte e pafalshme nëse nuk e mposhtim Elchen. Nga jashtë, duket gjithçka e lehtë, por nuk është kështu. Ndeshjet duhet të fitohen dhe kjo është parë edhe ndaj Valladolidit”, përfundoi Alves.