Alves: Liga është e jona

Dani Alves është i bindur se Barcelona mund ta fitojë titullin e kampionit në La Liga këtë sezon. Katalunasit kanë nevojë për dy fitore në dy ndeshjet e fundit dhe mbrojtësi brazilian beson shumë në ekipin e tij.

Sport

09/05/2014 13:28

Barcelonës iu ofruar mrekullisht mundësia për të luftuar për titull të kampionit në La Liga. Tash, gjiganti katalunas nuk e ka ndërmend ta lëshojë këtë rast ideal.

Lionel Messi me shokë duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e fundit të sezonit, ndaj Elches në fundjavë dhe ndaj Atletico Madridit javën tjetër, për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Mbrojtësi i djathtë Dani Alves beson se Barça mund të festojë në fund të një sezoni me dy fytyra.

“Kanë mbetur edhe dy ndeshje, do të shkojmë për ta fituar këtë ligë”, u shpreh futbollisti brazilian për të përditshmen spanjolle ‘El Mundo Deportivo’.

Ish futbollisti i Sevillas synon ta mbyll këtë sezon në mënyrë pozitive, ndërsa gjatë verës do ta shqyrtojë mundësinë e largimit nga Camp Nou.