Alma Lama kërkon një vend për “Heroinat”

Deputetja Alma Lama kërkon nga Komuna lokacionin përballë Pallatit të Rinisë për projektin “Heroinat”, në nderim të kontributit të grave gjatë luftës në Kosovë. Është në dorën e Vetëvendosjes a do t’ia plotësojë kërkesën deputetes së larguar nga kjo parti.

Lajme

05/02/2014 15:44

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që ta caktojë një lokacion për memorialin e propozuar nga ajo në nderim të kontributit të grave gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

Dizajni i këtij memoriali tashmë tashmë është përzgjedhur dhe së shpejti pritet të përfundojë realizmi i veprës.

“Duke qenë se jemi në këtë fazë, na duhet edhe përcaktimi i lokacionit ku do të vendoset memoriali. Ashtu siç e kam prezantuar në Kuvendin e Kosovës, por edhe në detyrën projektuese, kjo hapësirë duhet të jetë në një nga pjesët qendrore të kryeqytetit në mënyrë që memoriali të vizitohet nga më shumë njerëz por edhe delegacionet e huaja që do të vizitojnë Kosovën:, ka thënë deputetja e LDK’së në letrën dërguar Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Halim Halimi.

Lama ka përkujtuar se pas një kërkese formale nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor drejtuar komunës së Prishtinës, në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Drejtorëve i Komunës së Prishtinës, ka propozuar që lokacioni të caktohet në pjesën gjelbëruese përballë Pallatit të Rinisë.

Alma Lama, Deputete e Kuvendit të Kosovës (LDK)

“Kjo parcelë plotëson kërkesat për një hapësirë dinjitoze, të mjaftueshme, dhe ka qenë edhe kërkesa e ministrisë dhe imja si propozuese. Personalisht jam konsultuar edhe me disa arkitektë dhe po kështu artistë dhe kemi ardhur në përfundimin se ajo hapësirë që i përmbush këto kushte, është hapësira e gjelbër pas Hotel Grandit. Kjo hapësirë ka edhe frymëmarrjen e nevojshme për memorialin dhe fare mirë mund të shndërrohet edhe në një park të gjelbër përreth memorialit, duke mundësuar kështu një hapësirë edhe pushimi por edhe meditimi përreth veprës”, ka shkruar Lama.

“Ju lutem procedojeni më tej, në Asamblenë Komunale këtë kërkesë apo propozimvendim, në varësi të procedurave ligjore të Komunës, në mënyrë që memoriali të ketë në dispozicion hapësirën e nevojshme”.

“Më lejoni t’ju kujtoj se ky është i vetmi memorial që i kushtohet kontributit të grave të Kosovës gjatë luftës dhe kjo është një arsye më shumë që të vendoset në një hapësirë publike, të përshtatshme me misionin dhe qëllimin e tij”.

“Mbetem me shpresë se komuna do të mbështesë këtë kërkesë dhe do të marrë vendimin e duhur”, ka shkruar ish Deputetja e Vetëvendosjes Alma Lama e cila tash është pjesë e Grupit Parlamentar të LDK’së.