Lluka, ministri kursimtar

Ministri Valdrin Lluka për herë të parë ka treguar për familjen, jetën e tij, shoqërinë....

Lajme

31/12/2018 23:20

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka në një intervistë dhënë për lajmi.net ka rrëfyer shumëçka nga jeta e tij.

Për herë të parë në këtë intervistë pa protokoll, ministri Lluka ka treguar për personalitetin e tij, familjen, shoqërinë, punën, shpenzimet që i bën e shumë e shumë gjëra të tjera.

Cili është personi i parë që ia uron Vitin e Ri, sa është i dhënë ministri Lluka pas brendeve, teknologjisë, a është kursimtar apo jo, të gjitha do ti mësoni në këtë itervistë.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë me ministrin Lluka:

Zotëri Lluka, si festohet Viti i Ri në familjen tuaj?

Vitin e Ri gjatë gjithë jetës e kemi pritur së bashku familja e ngushtë në shtëpi. E konsiderojmë si një ndër mbledhitë më të rëndësishme të vitit.

Cili është personi i parë që e uroni për Vitin e Ri?

Me thënë gruaja, ma merr inatin nëna. Me thënë nëna, ma merr inatin gruaja. Kështu që djalit ia uroj të parit Vitin e Ri!

Nëse jo në Kosovë, në cilin shtet do të dëshironit ta pritni ndërrimin e motmoteve dhe pse?

Nuk e ndërroj Kosovën me asgjë për këtë festë, kryesisht për shkak të familjes.

A do të pranonit që natën e Vitit të Ri ta kalonit me punëtorët e Trepçës dhe të KEK-ut?

Po, me gjithë kënaqësi. Vitin e kaluar i kam vizituar punëtorët e Ngrohtorës së Gjakovës. Sonte, për festën e vitit të ri, do të vizitojë kujdestarinë e KEK-ut për t’i uruar dhe dëshiruar një vit të mbarë për ta dhe familjet e tyre. Arsyeja pse kam përzgjedhur këtë herë KEK-un është se ata punëtorë punojnë në kushte të vështira për të siguruar ndriçim për ne.

Sa jeni i dhënë pas mbrëmjeve? Pra a i frekuentoni lokalet e natës?

Nga momenti që jam bërë prind, lokalet e natës nuk kanë prioritet për mua. Tashmë mbrëmjet janë kryesisht pranë familjes ose me punë dhe në raste më të rralla me shoqëri në lokale të qytetit (kafene).

Do të preferonit një gotë vere të Rahovecit apo një gotë raki  të Skraparit?

Vera e Rahovecit zë vendin kryesor në familjen tonë.

Për nga natyra dukeni të jeni tip më i rreptë, nëse mund të them. A jeni person strikt në punë dhe që kërkoni që çdo gjë të përfundojë ashtu siç duhet dhe pa gabime?

Në fakt, jam shumë tolerant ndaj gabimeve sepse besoj që perfeksionizmi vonon punën dhe rrallëher realizohet. Nga ana tjetër, mendoj që gabimi është forma më e mirë e mësimit, normalisht nëse nuk është gabim me pasoja të pa riparueshme. Për probleme të mëdha, kërkoj fokus të veçantë që të mos ketë gabime. E çmoj punën ekipore dhe zakonisht secilit i jap hapësirë për vendimmarrje. Nuk e pëlqej mikromenaxhimin dhe kam dëshirë të shoh laramani të profesioneve në ekip pasi që besoj që diversiteti i të menduarit sjellë kreativtet në punë. Më pengon fakti nëse dikush merr përgjegjësi për një punë, dhe nga ana tjetër nuk mbanë përgjegjësi për rezultatin e punës. Pra, nuk jam i rreptë aspak, me përjashtim kur, pas shumë tolerimeve, nuk kryhet puna asnjëherë.

Si ju thërrasin personat e juaj të dashur, pra cili është pseudonimi i juaj?

Familja kryesisht në emër, përndryshe shoqëria e ngushtë më thërrasin me mbiemër.

Cila është batuta që më shpeshti e përdorni?

Batutat me Gjakovarë i adhuroj dhe janë të shumta ato që i përdori.

Cili ka qenë momenti më i sikletshëm gjatë takimeve me ndonjë përfaqësues ndërkombëtar?

Mundohem të jam i kujdesshëm me takimet me përfaqësues ndërkombëtarë, për shkak të rëndësisë që kanë në proces të shtetndërtimit.

A shkoni në fitnes dhe sa kohë ia kushtoni vetes?

Mundohem ta mbaj një ritëm nga dy deri në tre herë në javë. Nuk shkoj në gym. Mundohem ta ndjeki programin Freeletics, që janë ushtrime me peshë të trupit dhe nuk ka nevojë për paisje të gymit.

Cila është gjëja apo fjala që nuk ia falni kurrë askujt, pra një diçka që nuk e toleroni aspak në jetën tuaj?

Ofendimi në familje është i patolerueshëm. Gjithashtu, shpifjet ndaj ndonjë veprimi që ndërmarr unë me qëllime përfitimi nga ana e shpifësit, janë të patolerueshme. Çdo gjë tjetër, ka hapësirë për tolerancë.

Meqë jeni ministër i Zhvillimit Ekonomik, sa jeni ekonomist? A shpenzoni më shumë apo kurseni më shumë?

Profesionalisht, jam ekonomist i diplomuar nga Universiteti Amerikan në Bullgari si dhe master në administrim biznesi nga Universiteti i Minesotës, Carlson School of Management në SHBA.  Personalisht, si gjakovar që jam, mundohem të kursej më shumë se sa që shpenzoj.

Cili ka qenë çmimi më i lartë që keni blerë ndonjë rrobë dhe çfarë marke (firme)?

Nuk jam person i apasionuar pas brendeve të shtrenjta kur flitet për rroba. Mendoj që paraja e shpenzuar në rroba me marka të shtrenjta është para e shpenzuar gabimisht. Sidoqoftë, si person i pasionuar pas teknologjisë, nuk e kam problem që kursimet e fundit ti shpenzoj në teknologji. Rrobat më të shtrenjta që kam blerë kanë qenë nga “Zara”, kostum në vlerë prej 150 euro.

Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës për Vitin e Ri?

Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ju dëshiroj mbi të gjitha shëndet e lumturi në familje dhe suksese e fat në punë. Le të jetë viti 2019 një vit i arritjes së qëllimeve tuaja dhe njëkohësisht vazhdoni të kritikoni politikën që nuk përfaqëson më së miri interest e juaja. Një qytetar aktiv na ndihmon edhe neve që të bëjmë punë më të mirë. Valmira Halimi. /Lajmi.net/