Aliji u stërvit me skuadrën e ligës së tretë zvicerane, për t’i qëndruar afër babait të diagnostikuar me kancer

Naser Aliji prej muajsh stërvitej me ekipin e ligës së tretë zvicerane, FC Baden. Ky është ekipi i parë në karrierën e Alijit. Eshtë qyteti, ku Aliji është rritur dhe familja e tij jeton akoma.

Sport

04/10/2018 12:38

Por, përse Naser Aliji vendosi të rikthehej aty? Arsyeja është e trishtë dhe këtë Naseri e shpjegoi në një intervistë për “Blick.ch”.

“Pasi më mbaroi kontrata me Virtus Entella kisha disa oferta, por vendosa të rikthehem te FC Baden për të qëndruar pranë familjes. Babai im u diagnostikua me kancer dhe vendosa që këto muajt e fundit të jetës së tij t’i qëndroj pranë. Babai, fatkeqësisht ndërroi jetë para 4 ditësh”, – u shpreh Aliji.

Shkrimi i “Blick”: Dhjetë vjet më parë, Naser Aliji kaloi nga ekipi i Aargau te të rinjtë e FC Basel. Ai arriti bashkë me Breel Embolo në ekipin e parë, pasi u konsiderua lojtar mjaft premtues, edhe më i madh se sulmuesi aktual i Schalke 04, i cili ishte disa herë kampion dhe tani luan në Champions League. Futbollisti i kombëtares shqiptare u transferua në klubin gjerman të Kaiserslautern dhe më vonë në Itali, në divizionin e tretë, te Virtus Entella, transmeton telesport.al.

Naseri Aliji është kthyer në shtëpi që nga vera. Për një arsye të trishtuar: babai i tij ishte i sëmurë rëndë, me kancer. Ai vdiq të dielën e kaluar. “Çdo gjë në jetë e ka një qëllim, – thotë Aliji. – Në verë nuk isha i zhgënjyer vetëm se nuk kisha një klub. Papritmas, kuptova se duhet të kaloja kohë me babain tim. Ai ishte në muajt e tij të fundit të jetës”.

Për shkak të situatës familjare të krijuar, Aliji nuk pranoi asnjë kontratë në Itali, në verë, pavarësisht interesimit të disa klubeve. Për disa javë, mbrojtësi i majtë u stërvit te FC Baden, për të ruajtur një formë të arsyeshme sportive. Qëllimi i tij është një kontratë në Super League, ose e një klub ambicioz në “Challenge League“.