Ali Haliti në Londër, identitet i shpikur nga Yll Latifi

Ali Haliti, për të cilin u tha se është nga Pokleku i Drenicës, ishte një identitet i shpikur nga dikush për qëllime që ende nuk janë bërë publike.

Lajme

08/01/2015 20:36

RTK merr vesh se personit që iu përdor fotografia, duke kërkuar ndihmë në emër të tij, është nga Shqipëria. I njëjti jeton dhe punon në Londër dhe nuk ka fare nevojë për ndihmën e askujt. Personi që shihet në këtë foto nuk është Ali Haliti, siç është thënë në një postim të bërë nga Yll Latifi.

Ky i fundit madje pati shkruar se ky person ka nevojë për ndihmë, pasi tash e tre muaj fle nëpër stacione metroje të Londrës dhe punon për shërimin e vajzës së tij në Poklek të Drenicës.

RTK ka kontaktuar me një të afërm të personit qe është fotografuar në metro. Ermal Karakushi ka rrëfyer se ai që shihet në fotografi quhet Pëllumb Derri dhe se është nga Shqipëria. Ai mohoi fjalët se kanë marrë para.

“Nuk eshte ai mor burre për cka e keni nxjerre ju, nuk osht caj o jaran. Pllumbi punon për veti, ka shpijat e veta,  nuk ka nevoj per kete. Problemi esht se fotografia eshte gabim, edhe Pllumbi nuk e ka kete histori o jaran. Po ku dim ne Ali Halitin, nuk e njohim. Atë Pllumbin e shkret e ka kap aty. Fotografia eshte tjeter, ajo histori atij si perket. Pllumbi nuk ka taku njeri te gjalle, as si ka marr kujt pare per kete histori”, tha ai.

Karakushi ka mohuar zërat që thonë se i apostrofuari si Ali Haliti dhe njerëzit e tij e kanë kërcënuar.

E tash, kur u zgjidh misteri i kësaj fotografie, pa gjurmë ka humbur Yll Latifi, shqiptari që jeton në Londër, e i cili i pari e kishte publikuar foton.

RTK pati biseduar me të para dy ditësh, por Latifi ka mohuar të tregonte për paratë që janë mbledhur në emër të këtij postimi, e të cilat ai vetë i pati bërë publike.

`Financat private te miat nuk i diskutoj as me grune tem e le ma me dikon qe se njoh hiq. Mediat te rrin jashte kesaj pune. Une ty nuk kom nevoj met kallxu kurgjo, jom qytetar anglez. Nuk kom nevoj met kallxu ku jon paret. Je shqiptar jom shqiptar, ki gjak kom gjak, jena te dyt t’ni veni, tni populli. Mos u boni njerz te kqi, mos u boni njerz primitiva. Nuk e kuptoni ceshtjen edhe situaten cfare ndodhet njeri`, ka thene Latifi.

Postimi i Yll Latifit ka shkuar aq larg saqë ka nxitur reagimin edhe të Ambasadës së Kosovës në Londër. Në të njëjtën kohë janë zhvilluar shumë debate edhe në rrjete sociale. I përfshirë në këto polemika ka qenë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, i cili e pati ri-postuar në profilin e tij në Facebook videon e Yll Latifit, ku ai fliste për të hollat e grumbulluara për Ali Latifin. (RTK)