Ali Ahmeti nuk trembet, “le të publikohet gjithçka”

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi se qëndrimi i tij është shumë i qartë dhe qështë për atë që të publikohet gjithçka sa i përket bisedave të përgjuara, që po shpalosen nga ana e opozitës maqedonase.

Lajme

16/03/2015 23:37

Ahmeti këto komente i bëri sonte në Shkup, me rastin e Akademisë përkujtimore për brigadën 115 të UÇK-së, që u mbajt në Shtëpinë e Armatës së Maqedonisë.

“Ne mirëpresim çdo publikim, ne nuk trembemi. Asgjë të mos mbetet enigmatike. Të mos mbesin kurreshtar. U siguroj juve dhe gjithë ata që presin me kurreshtje, ju garantoj që ne nuk jemi në pushtet për pasurime personale. E kam thënë që në BDI nuk janë të gjithë engjëj, nëse eventualisht ka që kanë keqpërdorur institucionet, mban përgjegjësi. Unë e kam thënë që nuk do padisim asnjërën palë për publikimet”, deklaroi Ahmeti.

Ai në mënyrë indirekte komentoi edhe lëvizjet dhe taktizimet politike të oponentit të tij politik, Menduh Thaçi, duke theksuar se ai dhe partia e tij nuk veprojnë me standarde të dyfishta.

“Ne nuk koketojmë me asnjërën palë dhe nuk punojmë me standarde të dyfishta. Atë qe e themi publikisht, edhe e punojmë në jetën publike”, theksoi Ahmeti, raporton agjencia Ina.