Alexis: Barcelona ende i synon tre trofetë

Alexis Sanchez mbetet optimist për gjasat e Barcelonës për t’i fituar tre trofe këtë sezon, kundër humbjes 1:0 nga Valladolidi fundjavën që shkoi. Kampioni aktual spanjoll gjendet në pozitën e tretë në tabelë pas humbjes së papritur, por sulmuesi kilian insiston se ekipi i tij është i vendosur ta mbrojë titullin në La Liga dhe…

Sport

11/03/2014 09:00

Alexis Sanchez mbetet optimist për gjasat e Barcelonës për t’i fituar tre trofe këtë sezon, kundër humbjes 1:0 nga Valladolidi fundjavën që shkoi.

Kampioni aktual spanjoll gjendet në pozitën e tretë në tabelë pas humbjes së papritur, por sulmuesi kilian insiston se ekipi i tij është i vendosur ta mbrojë titullin në La Liga dhe të synojë të jetë i suksesshëm edhe në Copa del Rey dhe në Evropë.

“Ne jemi duke luftuar për të gjithë trofetë. Jam i uritur të fitoj, njëjtë si bashkëlojtarët e mi. Ne duam të fitojmë gjithçka, Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Kupën”, deklaroi Alexis në konferencë për shtyp.

“Nuk e njoh askënd në skuadër që nuk e do këtë. Ne të gjithë jemi pjesë e Barçës dhe e kemi të njëjtin objektiv. Liga nuk është humbur. Edhe kur ishim në krye, njerëzit thoshin se e kemi fituar këtë. Pra, kjo është gabim”, vazhdoi ish futbollisti i Udineses.

Përfaqësuesi kilian beson se fitorja ndaj Manchester Cityt në udhëtim do t’i shërbejë ekipit katalunas që të kalojë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, me një fitore eventuale në Camp Nou.

“Ne duhet ta lëmë prapa krahëve humbjen nga Valladolidi dhe të mos e ndiejmë këtë në ndeshjet e ardhshme. Duhet të jemi pozitivë, sepse e kemi një ndeshje të rëndësishme përpara nesh. Manchester City e ka humbur ndeshjen e parë, por çdo ekip dëshiron të luftojë kur përballet me Barcelonën”, përfundoi Sanchez.