Aleanca për Shqiptarët paraqet dy amendamente në Kushtetutë, njëri lidhet me Kosovën

Aleanca për Shqiptarët, ka paraqitur dy amendamente në Kushtetutën e Maqedonisë dhe njëri prej tyre lidhet me Kosovën ku kërkohet që Kosova të njihet si shtet edhe me Kushtetutë.

Lajme

16/12/2018 16:50

Ndonëse Maqedonia ka njohur Kosovën shtet dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka miratuar rezolutë për marrëdhëniet e Republikës së Maqedonisë me Kosovën, deputetët e Aleancës për Shqiptarët në pajtim me Rregulloren për punën e Kuvendit, kanë parashtruar amendament përmes të cilit kërkojnë që në Ligjin Kushtetues, krahas shteteve tjera me të cilat kufizohet Maqedonia, të shtohet edhe Republika e Kosovës, shkruan Alsat M.

Amendament

Pas Nenit 1 shtohet një Nen i ri,  Neni 1-A në të cilin thuhet:

Neni 1-A

Kufiri shtetëror i Republikës së Maqedonisë  dhe kufiri i saj i përhershëm me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Bullgarisë, Republikën e Greqisë, Republika e Serbisë dhe Republika e Kosovës.

Në vij të ndryshimeve kushtetuese deputetët e Aleancës për Shqiptarët kanë propozuar edhe një amendament tjetër i cili ka të bëj me termin “qytetarët maqedonas”. Nga kjo parti përmes amendamentit të propozuar kërkojnë që në Kushtetutë termi “qytetarët maqedonas” të ndërrohet me termin qytetarët.

Amendament

Në Nenin 2 paragrafi 2 fjalët “qytetarët maqedonas”  ndërrohet me “qytetarët”

Përmes këtyre ndryshimeve sipas deputetëve të Aleancës do të vije në shprehje barazia e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Në Ligjin aktual kushtetues Maqedonia nuk e njeh Kosovën si shtet fqinj ndërsa Serbinë po edhe pse aso kohe Serbia kishte statusin e federatës jugosllave.