Aleanca për Shqipërinë Europiane prezantoi 61 kandidatët (Foto)

Konventa e Zgjedhjeve Vendore e Aleancës për Shqipërinë Europiane, të kryesuar nga Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, mblodhi dje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë 61 kandidatët e saj, në një prezantim maratonë.

Lajme

16/05/2015 11:03

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se më 21 Qershor, në çdo bashki do të fitojë fryma qytetare. Ai radhiti një sërë arritjesh të qeverisë së majtë në këto 18 muaj qeverisjeje, që nga rendi, energjia, shëndetësia, arsimi, punësimi e të tjera.

“Unë e them hapur dhe ky nuk është kërcënim. I them njerëzve, pse do të votoni për kandidatët e PD-së? Për çfarë? Ata kanë drejtim tjetër. Drejtimi i duhur shihet, drejtimi i duhur dihet, drejtimi i duhur zgjidhet. Unë besoj që Keti Bazhdari është drejtimi i duhur për Shkodrën; besoj se Viktor Tusha është drejtimi i duhur për Lezhën; as që e diskutoj fare që Hasani është drejtimi i duhur për Kukësin; jam i bindur që Vangjush Dako është drejtimi i duhur për Durrësin; jam i bindur që Qazim Sejdini është drejtimi i duhur për Elbasanin”, tha Rama.

Konvetnta në Tiranë 2

Kreu i PS-së përshtati disa vargje të Çajupit për t’u drejtuar të gjithë zgjedhësve një mesazh në mbështetje të kandidateve femra.

“Ju them vetëm një gjë, mes gjithë këtyre grave dhe gjithë atyre burrave që kanë përballë, turp kush zgjedh burrin, sepse zgjedh një nga ata që nën hije lozin e kuvendojnë dhe pika që s’u bie se nga SHQUP-i rrojnë”,  deklaroi ai.

Konvetnta në Tiranë 4

Edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pjesë e kësaj aleancë, shprehu bindjen, jo vetëm tek fitorja e ASHEE, por veçanërisht tek fitorja e grave kandidate.

“Kemi treguar vizion dhe lidership sa i takon avancimit të një çështje shumë të madhe për shoqërinë dhe familjen tonë, që ka të bëjë me fuqizimin e vajzës dhe gruas shqiptare në jetën politike dhe shoqërore. Zgjedhjet e 21 Qershorit janë historike në këtë drejtim dhe do të jenë akoma më shumë duke çuar këto zonja që të gjitha në krye të bashkive ku kandidojnë”, deklaroi Meta.

Meta akuzoi Partinë Demokratike se keqintepreton deklaratat e udhëheqësve të mazhorancës dhe se ka si objektiv përdorimin e pushtetit vendor për t’iu kundërvënë Qeverisë.

“Kandidatët janë me fat sepse do të kenë mbështetjen e Qeverisë. Ky nuk është kërcënim dhe as presion ndaj votuesve, por PD, për fat të keq, nuk e ka kurajon për të qenë e sinqertë me qytetarët shqiptarë dhe përpiqet të deformojë mesazhet e dhëna nga kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës. PD nuk del dot të thotë që nuk i do bashkitë për t’i përdorur kundër Qeverisë. I gjithë thelbi i fushatës së saj është shumë i thjeshtë; i duam bashkitë për konflikt me Qeverinë, me qëllim përfitimin politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Qëllimi ynë është shumë i thjeshtë, shumë i qartë, ne i duam bashkitë për të ofruar shërbime për qytetarët tanë, për problemet e përditshme të tyre”, shtoi Meta.

Konvetnta në Tiranë

Ndërkohë, Bamir Topi foli për një koalicion qytetar për qytetet dhe të ardhmen e Shqipërisë.

“Falenderoj kryeministrin Rama, që jam i bindur që nuk ka qenë në vështirësi sepse ka qenë një pjesë integrale e vizionit të tij për zhvillimin e qyteteve të Shqipërisë, që bëri të mundur që të shtrije këtë koalicion, për ta bërë jo ideologjik, për një koalicion qytetar, për qytetarët, për qytetet dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Jam i bindur që duke folur këtu në emrin tim dhe FRD-së, ai ajo që ka predominuar tek unë dhe tek miqtë e mi, nuk ka qenë pozicioni ynë ideologjik, ajo që na shqetëson më shumë është e ardhmja e qyteteve tona”, tha Topi, duke shprehur bindjen se aleanca, ku edhe ai bën pjesë, do të bëjë më të mirën në shndërrimin e qyteteve shqiptare.

Erion Velijaj, kandidat për kryetar të Tiranës

Bindjen tek fitorja e shprehu edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

“Qytetarët e Shqipërisë, me këtë koalicion të madhe e kanë gjetur drejtimin e duhur, por theksoj faktin që këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse për herë të parë janë me 61 bashki. Jam i bindur që me 61 bashki me drejtimin e duhur, me Aleancën për Shqipërinë Europiane ne do të arrijmë një fitore spektakolare për t’u dhënë shqiptarëve drejtimin e duhur drejt Europës”- u shpreh Shpëtim Idrizi.

Më herët, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kërkoi votën më 21 Qershor për të ndjekur “drejtimin e duhur”.

“Kemi bërë shumë, por nuk mjafton sa kemi bërë, dhe këtë e dimë. Por jemi në rrugën e duhur, po ecim me shpejtësi në drejtimin e duhur, ashtu siç u bëmë bashkë më 23 Qershor të 2013-ës, ashtu do të bëhemi bashkë edhe më 21 Qershor, për të ecur me forcë në drejtimin e duhur. Presin më shumë prej nesh, dhe kanë të drejtë, presin sepse të gjithë e dinë, edhe kritikët, që ne jemi në gjendje të sjellim Shqipërinë në rrugën e duhur. Shqiptarët e ndershëm kanë mundësi të bashkohen me ne për të çuar Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e duhur, për ta bërë Shqipërinë më të pastër”- tha Tahiri.

Konvetnta në Tiranë1

Ministri i Brendshëm renditi më pas një sërë reformash dhe hapash të ndërmarra nga Qeveria, që nga shlyerja e borxheve që trashëgoi për biznesin, reforma në energji dhe punësimi.

“Janë të suksesshëm si nga ana personale ashtu edhe profesionale. Burra e gra, të 61 kandidatët tanë kanë treguar që dinë të bëjnë punën e tyre dhe do të jenë të suksesshëm në bashkitë e reja, për ju, jo për politikë, për t’i shërbyer qytetarit. Fitore për të shërbyer qytetarit!”- mbylli fjalën e tij Tahiri.