Albulena Haxhiu lobon për protestë, fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se më datë 29 shtator do të mbajnë protestë paqësore  për të kundërshtuar idenë e presidentit, Hashim Thaçi, rreth korrigjimit të kufijve.

Lajme

18/09/2018 14:27

Deputetja Albulena Haxhiu, thotë se situata në Kosovë është e rënduar dhe kësaj duhet t’i vijë fundi. Haxhiu thekson se institucionet e vendit janë të kapura dhe fton të gjithë qytetarët e të gjitha grupmoshave për të protestuar, përcjell lajmi.net

Ja postimi i saj i plotë:

Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’. Kjo aventurë personale e Presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar. Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet.

Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik.

Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE!, më 29 shtator 2018, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë, në ora 14:00. Ne i kemi institucionet e shtetit të kapura. Sheshi është institucion në republikë. Pakënaqësia duhet të dalë në shesh. I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu.

Asgjë më pak se shpëtimi i shtetit të Kosovës nuk është në pyetje. Ruajtja e integritetit territorial e institucional dhe mbrojtja e popullsisë dhe paqes në Kosovë, janë detyra jonë si qytetarë të republikës, si politikanë përfaqësues e si aktivistë politikë.

Pasi që na e rrudhën lirinë dhe demokracinë, institucionet dhe mirëqenien, duan të na e rrudhin edhe territorin dhe pavarësinë. Duan ta ndajnë Kosovën e ta copëtojnë edhe Kosovën Lindore. Pazaret e Thaçit me Vuçiqin nuk do t’i paguajmë ne. Sepse, një popull s’i nënshtrohet një njeriu./Lajmi.net/