Albin Kurti në burgun e idolatrisë – Lajmi.net
Albin Kurti në burgun e idolatrisë
Autori: Andi Bushati LajmeOp-EdOpinionPolitikë 12:14, 12 December 2017
Andi Bushati
Ndërsa Albin Kurti ka kapërcyer për të kush e di të satën herë derën e rëndë të një burgosjeje politike, të gjitha mediat shqipfolëse në Kosovë po ziejnë për përçarjen e madhe të partisë që ai ka themeluar, udhëhequr, frymëzuar dhe ngjizur sipas bindjeve të veta.

Të gjithë kanë filluar të bëjnë llogaritë se kush do të dalë tjetër publikisht pas dorëheqjes të pritur të nënkryetares së Vetëvendosjes, Aida Dërguti, se sa do të jenë rebelët që nuk pranojnë kultin e një lideri të paprekshëm, se si do të nxirren në shesh të palarat e një partie që shpesh ka vepruar si sekt, ndërsa ata më kumarxhinjtë kanë filluar të vënë baste se me kë do të shkojë kryebashkiaku i Prishtinsë, Shpend Ahmeti.

Por, pavarësisht se përplasja fatale në gjirin e Vetëvendosjes është kthyer në një telenovelë popullore, ajo nuk është problemi më i madh i kësaj partie. Shqetësimi real nuk është as fjalori banal i përdorur në “Viber”, as mendimet e ndryshme brenda një force të madhe, as prishja e festës të dy rezultateve ngadhënjyese elektorale dhe as nxjerrja në sy të publikut e teshave të pista, që duhet të lahen brenda shtëpisë.

Pas kaq e kaq vitesh militantizmi të stërlodhshëm dhe rritjes progresive të kësaj force politike tejet autentike, shizmat ngjajnë gati-gati normale.

Problemi më i madh është se si partia e Albinit po përballet me to, se sa e aftë është ajo t’a absorbojë mendimin e ndryshëm brenda saj, se sa tolerante është për të bashkëjetuar me kritikët e liderit dhe se sa e ka luftuar sektarizmin e linçimeve brenda llojit.

Në këtë kuptim, bërja publike e mosmarrëveshjeve brenda Vetëvendosjes, po shoqërohet me sinjale shqetësuese. Në mediat tradicionale dhe në rrjetet sociale kanë mbirë papritmas militantët e zellshëm që janë të gatshëm të denigrojnë këdo që merr guximin të kritikojë liderin. Letra militantësh të burgosur i etiketojnë si “majmunë” kundërshtarët, disa bëjnë thirrje për largimin e oportunistëve, të tjerë anatemojnë ata që nxjerrin sekretet në media, ndërsa më radikalët merren me gazetarët dhe i shohin si armiq. Dhe të gjithë këto versione të të njëjtit profil militant, bëhen bashkë mburojë kur vjen fjala për pacenueshmërinë e Albinit.

Kjo klimë është në fakt kërcënimi më i madh për Vetëvendosjen.

Prej kohësh lideri i saj dhe partia që ai themeloi kanë mbajtur mbi vete kryqin e rëndë të radikalit. Në memorien tonë kolektive janë rënjosur në mënyrë të pashlyeshme imazhet e studentit flokëgjatë që përleshej me milicinë serbe, e të burgosurit kokëqethur të Pozharevcit, e njeriut që shkruante parrulla kundër planit të Athisarit, e demonstruesit që përmbyste foristradat e bardha të UMNIK-ut, e patriotit që i bënte barrikadë kamionëve me mallra serbe, e të irrituarit që thyente xhamat e godinës së sapopëruruar të qeverisë dhe që hidhte gaz lotsjellës në sallën e parlamentit.

Por, pavarësisht nga ky perceptim ekstremist, Vetëvendosja rritej e rritej nga zgjedhja në zgjedhje. Sepse shqiptarët e zhgënjyer, të vjedhur e të nëpërkëmbur dinin të dallonin pas këtyre akteve, përtej kufijve të ligjit, vendosmërinë dhe forcën e një grupi njerëzish që besonin në idealet e tyre.

Në pak vite Albini dhe miqtë e tij të të njëjtit besim, arritën të ngrenë në këmbë një forcë, që diti të mbrojë luftën, pa u bërë njësh me rufjanët që e përdorën atë si një betejë për të bërë plaçkë. Ata i dhanë jetë një partie, të vetmes realisht të majtë në trojet shqiptare, që luftoi me shpirt kundër korrupsionit galopant, që u bë barrikadë ndaj politikave shkatërruese neo liberale, që i goditi fort privatizimet abuzive dhe që e tregoi me shembuj, aty ku pati pushtet, interesin e saj për shtresat në nevojë.

Për të gjitha këto, shumëkush ia fali Vetëvendosjes radikalizmin, qasjen e saj të pakompromis dhe një lloj distancimi higjenik nga pjesa tjetër e klasës politike. Shpesh veprimet ekstreme shiheshin si ilaçi i vetëm i reagimit ndaj një sëmundjeje në fazë terminale. Edhe ata më të butët, tolerantët, të padhunshmit, kishin një moment kur kërkonin të kishin një grusht të fuqishëm ndaj një mali të palëvizshëm që nuk b’zante. Dhe këtë mundësi ia jepte partia e Albinit që kështu u bë forca më e madhe politike në Kosovë.

Por, në situatën që po kalon sot Vetëvendosja të pakët do të jenë ata që do të mund t’i falin importimin e metotave ekstreme dhe radikale edhe në luftën brenda llojit; linçimin e kundërshtarëve të brendëshëm dhe goditjen e atyre që njollosin portretin e liderit.

Prandaj, përplasja e këtyre ditëve është sfida më e madhe dhe më reale që ajo po kalon që prej themelimit të saj. Në këtë pikë ajo është para provës se sa di të dëgjojë zërat e ndryshëm, se sa di të pranojë të kundërtën, se sa di realisht të mbijetojë në një shoqëri të hapur dhe plurale.

Pikërisht, në emër të kësaj mendësie, Albin Kurti duhet t’i thotë një orë e më parë “Ndal” atyre që denigrojnë miqtë e tij të djeshëm dhe që punojnë, qoftë edhe pa e kuptuar, për kultin e tij. Edhe atje nga burgu ku ndodhet, Kurti duhet të gjejë mënyrën t’i kundërvihet atyre që duan ta mbajnë të lidhur me prangat e idolatrisë.

Vetëm kështu ai do të arrijë të dëshmojë, se gazi lotësjellës, bombat molotov, makinat e përmbysuara, kanë qenë thjesht mjete të një beteje epike dhe jo pjesë e një formimi të pandryshueshëm ekstremist. Vetëm kështu, ai do të mund të qetësojë këdo që e ka parë si një radikal që nuk do jetë kurrë në paqe me një pjesë të madhe të shoqërisë.

Përpara zgjedhjeve të qershorit të shkuar, që i dhanë atij rrezultatin më të mirë që ka marrë ndonjëherë, ai u përpoq maksimalisht të krijojë një imazh të ndryshëm të vetes. Por, as braktisja e jakave të bardha, në këmbim të kravatës, as daljet rrugëve me të bijën për t’u dukur më i prekshëm, as premtimet se qëllimi i tij nuk është që të hakmerret ndaj politikanëve të korruptuar, nuk do të kenë asnjë vlerë nëse ai nuk do të mundet të shuajë radikalizmin brenda radhëve të partisë së tij.

Prandaj, si partia më e madhe e Kosovës dhe që në një të ardhme shumë të afërt mëton pushtetin, Vetëvendosja duhet të dijë të qetësojë shoqërinë. Dhe për këtë, nuk ka rast më të mirë se të tregojë që di ta bëjë, duke heshtur ekstremistët brenda llojit.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO