Albin Kurti mohon bisedat me Surroin për aderimin tij në Vetëvendosje

Ndërmjet kreut të Vetëvendosjes dhe Veton Surroit, në kohë të fundit kanë ndodhur dy takime. Ato kanë ndodhur pas protestave që e bënë të mundshme rrëzimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, ka raportuar të enjten një portal kosobvar, por vet Kurti e ka mohuar këtë.

Lajme

17/04/2014 22:37

Gjithnjë sipas portalit Publiku, për një takim të tillë janë njoftuar krerët kryesorë të këtij subjekti politik. Kurti i ka njoftuar udhëheqësit tjerë se Veton Surroi do të duhej të ishte i dyti në listën e VV. Por, ndaj kësaj thuhet të ketë reaguar ashpër Glauk Konjufca, i cili ka kërcënuar me largim nga ky subjekt nëse kjo do të ndodhte.

Publiku.net nuk ka marrë prononcim lidhur me këtë nga Kurti, Surroi apo Konjufca.

Ndërkaq, Albin Kurti, në emisionin Forum të TV Rrokum të enjten mbrëma, përgënjeshtroi këtë shkrim, duke e quajtur madje keqinformim të qëllimshëm të opinionit publik. Ai tha se takimi i tij i fundit me Veton Surroin ka ndodhur më 23 dhjetor të vitit të kaluar.