Albin Kurti iu bën lajka gjakovarëve

Sonte në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, Vetëvendosje mbajti tubim parazgjedhor, me ç’rast prezantoi kandidatët e saj nga kjo komunë për deputetë në Kuvendin e Kosovës. 

Lajme

05/06/2014 23:06

I pari që iu drejtua të pranishmëve ishte Ilir Deda, i cili tha se është gjithmonë kënaqësi dhe krenari të jesh në Gjakovë, sepse Gjakova është e veçantë. Sipas Dedës, ajo i ka kontribuar popullit dhe atdheut.

Ai aty e prezantoi edhe aktoren e njohur Arta Dobroshi, duke thënë se Gjakova ka shumë të rinj e të reja që ia kanë zbardhur fytyrën Kosovës, e ndër to edhe mbesa e Gjakovës, Arta Dobroshi.

Shpend Ahmeti tha se sot kudo që shkon vërehet që partitë e tjera ia kanë zili VV-së për shkak të parimeve të saj.

“Gjakova ka qenë udhëheqëse e arsimit në krejt Kosovën, e një kontribut të tillë e ka dhënë Gjakova edhe në ekonomi e edhe kontributin kombëtar në luftën e fundit”, ka thënë Ahmeti.

Vetëvendosje është e kuqe, është kuq e zi, është trime, e ditur e kulturuar si Gjakova, por Shpendi është shumë më i mirë se Mimoza, tha në fillim të fjalimit të tij lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti.

Kurti e përfundoi tubimin në Gjakovë me fjalët: “Tash na duhet shteti, tash na duhet zhvillimi, tash na duhet arsimi, tash na duhet shërimi, tash na duhet Gjakova, tash na duhet Kosova, tash na duhet shqiptaria”.