Albert Einsten-i dhe problemet e Kosovës

Nëse duam që zgjedhjet e ardhshme të mos prodhojnë kriza politike, duhet ndryshuar Sistemin zgjedhor. Po ashtu, është e domosdoshme që Kushtetuta e Kosovës të amandamentohet me qëllim të saktësimit të përmbajtjes së saj.

Opinion

18/07/2014 13:23

Studentët e Universitetit të Zurich-ut, kishin mbetur të habitur me profesorin e tyre Albert Einsteinin, kur për të tretin vit me radhë, ua parashtronte të njëjtat pyetje gjatë ligjëratave që mbante.

Kur më në fund morën guximin për ta pyetur se pse po vepronte në këtë mënyrë, ai ua ktheu: Është e vërtetë që pyetjet janë të njëjta, por në shkencë, përgjigjet po ndryshojnë çdo vjet, sepse po zbulohen të vërteta të reja.

Zbuluesi i Teorisë së Relativitetit, me siguri që do të zihej ngushtë po ta merrte vesh përvojën që kanë kosovarët tash e sa vjet, kur bëhet fjalë për funksionimin e demokracisë në Kosovë. Këtupari, ndodhë e kundërta: Pyetjet po ndryshojnë, thuajse çdo vit, për shkak të zhvillimeve të reja të cilat kemi dëshirë t’i klasifikojmë si sfiduese, ama përgjigjet i kemi të njëjta, dhe ato shquhen me mbiemrin e dështimit.

Dhe kështu, dështim pas dështimi, do të përfundojmë diku. Sipas teorisë, duke u përplasur.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, për të cilat nuk duhet harxhuar fare kohë në cilësimin e tyre, dolën në shesh dy palë pyetje madhore të cilat ishin konstatim për mosfunksionimin e demokracisë, në synimin themelor që ka ajo: në krijimin e institucione legjitime. U tha dhe u vendosë, në Kuvendin e Kosovës, në prill të vitit 2011, që duhet bërë Reformimin e sistemit zgjedhor, duke e ndarë Kosovën në më shumë zona zgjedhore, dhe që duhet ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, ashtu që vota popullore, e jo deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta përcaktojnë Presidentin e Kosovës. U bënë dy Komisione të veçanta parlamentare, për të gjetur përgjigjet më të mira për këto dy çështje. U kuptua, në ndërkohë, që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të ndryshojë, jo vetëm në segmentin e mekanizmit të zgjedhjes së Presidentit, por edhe kur bëhet fjalë për definim më të qartë të kompetencave që kanë Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës, sepse ato (kompetenca), shpeshherë bënin bashkë mandatet e te dy liderëve institucional të vendit.

Në pranverën e vitit 2012, u bënë gati Amandamentet e Kushtetutës, u krye një punë goxha e madhe edhe në reformimin e sistemit zgjedhor, por te dy këto ndërmarrje u bashkuan në emëruesin e dështimit të plotë, sepse mungoi vullneti politik për t’i çuar proceset deri në fund, deri në përmbylljen e tyre.

Këto dy probleme të mëdha pra, mbetën të hapura.

Në ndërkohë, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e reja nacionale, në qershorin e këtij viti.

Zgjedhjet njëmend ishin të lira dhe demokratike, në aspektin e votës për partitë apo për subjektet politike, por ato u shquan me një manipulim edhe më të madh, se sa në zgjedhjet e paraprake, në garën ‘brenda llojit’, apo, në betejën për deputetë në kuadër të entiteteve të veçanta politike.

Pos manipulimeve të shumëllojta, të cilat me gjasë do ta shndërrojnë këtë Kuvend të Kosovës, në më të keqin që prej se këndejpari është instaluar demokracia parlamentare, çfarë tjetër ka rënë në sy, tek të gjitha subjektet politike, është shndërrimi, gjithsesi ilegal, i sistemit zgjedhor të Kosovës, i cili njihet si Sistem me Lista të Hapura dhe me një Zonë zgjedhore (Kosova si tërësi), në Sistemin zgjedhor me Lista të Hapura por me shumë Zona zgjedhore.

De fakto, çdo komunë ishte një zonë zgjedhore, apo, partitë dhe komisionerët në nivelin lokal i bënë të gjitha marifetet e mundshme, për ta orientuar/numëruar/mashtruar votën tek pretendentët për deputetë që vinin nga ajo komunë.

Ky është problemi i tretë që iu bashkua atyre dy të parëve, që realisht, rrëzoi për toke Sistemin e tashëm zgjedhor të Kosovës, apo, e komprometoi atë deri në palcë.

Problemi i katërt është i njohur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe përkon me telashet kushtetuese dhe politike në krijimin e institucioneve qendrore, si pasojë e mungesës së qartësisë së plotë të neneve të caktuara të Kushtetutës së Kosovës.

Është pra e qartë që nëse duam që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mos prodhojnë kriza të këtilla politike, do të duhej ndryshuar Sistemin zgjedhor. Po ashtu, është e domosdoshme që Kushtetuta e Kosovës të amandamentohet me qëllim të saktësimit të përmbajtjes së saj.

Janë këto dy veprime që do të duhej të bënin bashkë të gjitha subjektet politike në vend. Jo më larg se ta zëmë, në fund të vitit 2015, do të duhej përmbyllur këto detyra.

Por gjasat që diçka e tillë do të ndodhë gravitojnë kah zeroja.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)