Alarmohen ministrat e Vuçiqit, Haradinaj po thërret për luftë

Ministrat në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin dhe Rasim Lajiq, e kanë cilësuar thirrje për luftë deklaratën e liderit të AAK, Ramush Haradinaj, se “punën tonë do ta bëjmë vetë”, nëse Uashingtoni nuk e bënë punën në mes të Kosovës e Serbisë, pasi që Brukseli këtë nuk mund ta bëjë.

Lajme

15/05/2017 19:16

Mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë përcjellë reagimet e dy ministrave të Serbisë përkitazi me deklaratat e fundit të liderit të AAK, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon ta shoh Serbinë se destabilizuesin më të madh në Ballkan, ndërsa përfundimin e punës në mes të Kosovës dhe të Serbisë si domosdoshmëri.

Deklarata e fundit e Haradinajt, se “Brukseli nuk mund të kryej punë në mes të Kosovës dhe Serbisë, por që këtë duhet ta bëjë Uashingtoni, ose që punë tona do t’i bëjmë vet”, ka alarmuar dy ministrat e Vuçiqit, Aleksandër Vulin, ministër për Punë dhe Çështje Sociale dhe Rasim Lajiq, ministër për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikacion, të cilët deklaratën e fundit të Haradinajt e kanë cilësuar si thirrje për luftë. Vulin ka thënë se deklaratat e Haradinjat i merr seriozisht, ndërsa ka porositur shqiptarët që të mos vendosin për luftërat e Haradinajt, sepse siç ka thënë ai, “bota në vitin 2017 nuk është ajo e vitit 1999”.

“Shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk janë kohet e njejta dhe se luftën që po e propogandon Hardinaj nuk do ta bëjë gjithë bota dhe se atë luftë duhet ta bëjnë vetë shqiptarët”, u ka thënë Vulin medieve serbe në Beograd, raporton “Zeri.info”.

Ai ka ripërsëritur se bota më nuk do të luftojë me Serbinë për idenë e Shqipërisë së Madhe, ndërsa ka siguruar se Serbia i merr seriozisht kërcënimet e Haradinajt.

“Ne presim që të reagojnë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të kundërtën duhet të jetojnë me pasojat e asaj që ka bërë ai. Unë shpresoj që në mesin e shqiptarëve ka që kanë kuptuar qëllimet e Haradinajt dhe se Haradinaj nuk flet në emër të tyre. Serbia do të dijë ta mbrojë veten, territorin e vet dhe popullin, pavarësisht se në cilën pjesë të territorit ata jetojnë. Bota në vitin 2017 nuk është ajo e vitit 1999. Kurrë më një fuqi aq e madhe nuk do të vijë të luftojë për idenë e Shqipërisë së Madhe”, ka thënë mes tjerash Vulin.

Ndërkaq, ministri për Tregti, Turizëm dhe Telekomunikacion në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, duke folur për mediet në Beograd, ka thënë se Haradinaj është problem i bashkësisë ndërkombëtare, e cila duhet të reagojë.

“Kam frikë se deklarata të tilla nuk do të mbesin vetëm të tij, frikohem se edhe akterët tjerë politikë në Kosovë do të shfrytëzojnë popullizmin në fushatën zgjedhor që do të bëhet.  Qeveria jonë  po reagon në mënyrë permanente, madje as nuk po mund të arrijmë që të reagojmë sa Haradinaj po prodhon lajme. Ne po reagojmë me gjakftohtësi dhe në mënyrë të matur, po tregojmë pragmatizëm shtetëror dhe nuk guxojmë të biem pre e atmosferës që është duke u krijuar në Prishtinë”, ka sqaruar Lajiq, duke shtuar se nuk është në pyetje vetëm fushata, “por është rezultat i gjendjes çfarë e kemi në Kosovë “.

Ndryshe, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë në një deklaratë të tij, se Uashingtoni duhet ta kryej punën në mes të Kosovës dhe Serbisë, pasi që këtë nuk mund ta bëjë BE-ja. Në të kundërtën siç ka thënë Haradinaj, “punët tona do t’i bëjmë vetë”.