Alarmet për bomba në Gjermani rezultuan të rrejshme

Tre alarme të njëpasnjëshme për bomba u dhanë në qytetin e Hannoverit, çka bëri që edhe ndeshja miqësore mes Gjermanisë dhe Holandës të anulohej nga frika e ndonjë sulmi të mundshëm terrorist.

Bota

17/11/2015 22:55

 

Por pas verifikimeve zyrtarët gjermanë thanë se alarmet ishin fals dhe nuk u gjet asnjë eksploziv, ashtu siç pretendohej.

Pak para fillimit të ndeshjes mediat raportuan se një kamion i cili ishte modifikuar si ambulancë ishte mbushur me eksploziv dhe u gjet pranë stadiumit të Hannoverit.

Forcat e shumta të policisë evakuuan të gjithë tifozët që kishin hyrë në stadium. Aty pritje të vinte edhe kancelarja Angela Merkel.

Një tjetër alarm pranë stacionit qendror të metrosë në Hannover bëri që ky stacion të mbyllej përkohësisht.

Alarmi tjetër për bombë u dha në një sallë koncertesh, çka bëri që edhe ky aktivitet të anulohej. Po ashtu zyrtarët thanë se nuk pati asnjë person të arrestuar./kp