Alaba e do finalen e Championsit

David Alaba thotë se ëndërr e tij dhe e bashkëlojtarëve është finalja e Ligës së Kampionëve. Mbrojtësi i Bayernit e di se kjo s’do të jetë e lehtë, por gjithsesi austriaku e do finalen.

Sport

28/04/2014 17:20

David Alaba synon të shkojë në finale të Ligës së Kampionëve me Bayern Munichun, për ta ngritur për herë të dytë këtë trofe brenda dy vjetësh.

Gjiganti bavarez humbi 1:0 nga Real Madridi në ndeshjen e parë gjysmëfinale, të zhvilluar javën e kaluar në Santiago Bernabeu, ndërsa do të mundohet ta rikthejë rezultatin në ndeshjen e kthimit, që do të luhet të martën mbrëma në Allianz Arena.

“E dimë se kundër Realit nuk do të jetë e lehtë. Do të përballemi me lojtarë të mëdhenj, por do të mundohemi të koncentrohemi vetëm në lojën tonë”, deklaroi fillimisht futbollisti austriak.

“Duam ta arrijmë finalen. Është ëndërr jona dhe do të bëjmë gjithçka për ta realizuar”, përfundoi Alaba, në një intervistë për uebfaqen zyrtare të UEFA-s.